Drejtuesi politik i PS për qarkun e Korçës, Niko Peleshi për herë të parë nga Erseka ka pranuar se me përllogaritjet e Censit 23 që tregojnë rënie të numrit të popullsisë në Korçë dhe rritjes së popullsisë në kryeqytet, qarku juglindor rrezikon humbasë një mandat në zgjedhjet parlamentare të 2025.

Nga 11 mandate që qarku i Korçës ka pasur deri në zgjedhjet e 2021, numri i ligjvënësve që mund të zgjedhë do të jetë 10. Edhe në rast se ndodh kjo, Partia Socialiste sipas Peleshit do të kërkojë të fitojë 6 mandate në vitin 2025.

“Ka mundësi që për shkak të rritjes së numrit të popullsisë në Tiranë, qarku i Korçës mund të ketë një mandat më pak, edhe pse Korça ishte më numrin më të pakët të largimit të popullsisë referuar Censusit. Synimi ynë do jetë i njëjtë, duam të ruajmë 6 mandate me dy deputetë diferencë nga PD, por duke patur parasysh potencial e ri që i ofrohet politikës me këtë kod të ri zgjedhor, që është votë e diasporës, objektivat mund të rriten, sepse kemi aq votues në diasporë sa në Shqipëri.

Një nga pikat e takimit në çdo bashki është dhe organizimi për votën e diasporës. Në rast se janë 10 deputetë do të ketë 3 mandate të mbyllura, në rast se janë 11 deputetë do të ketë 4 mandate të mbyllura”, tha Peleshi.

Lidhur me proceset e mandateve të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka dhe deputetit Vullnet Sinaj, Peleshi tha: “Vendimi i gjykatës për deputeten Xhaçka është votuar në seancë, ka hyrë në proces mandati i deputetit Sinaj, do marrë kohën e vet, është duke u shqyrtuar. Do vazhdojë procesi deri sa të ketë një vendim të këshillit të mandateve“.