Deputeti Enkelejd Alibeaj, pas takimit me ambasadoren amerikane Yuri Kim, në Kryesinë e Kuvendit, ka zbuluar se në fokus të diskutimeve kanë qenë zgjedhjet e 14 majit.
“Gjatë një takimi të frytshëm dhe miqësor me ambasadoren e SHBA-së në Tiranë prekëm temat që lidhen me zhvillimet më të fundit në vend për t’u ndalur më gjatë tek ato të zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Diskutuam për rekomandimet e ODIHR-it, shqetësimet mbi përdorimin e administratës dhe pastërtinë e kandidatëve. Shqetësime këto të ngritura dhe më parë nga opozita dhe që kanë shoqëruar problematikën e proceseve të fundit zgjedhore në Shqipëri.
Në emër të PD-së garantova ambasadoren e SHBA-së për vullnetin e mirë tonin për t’u përfaqësuar denjësisht në këto zgjedhje duke zbatuar rekomandimet e ODIHR, duke ndarë me të shqetesime të ndryshme përfshirë dhe rolin e medias, para dhe gjatë fushatës elektorale.
Në fund të bisedës e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA u kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të zhvillimeve demokratike”, shkruan Alibeaj.