Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg në Shqipëri i dënuar për korrupsion në zgjedhje, u zgjodh të dielën si eurodeputet nga listat e kandidatëve të partisë “Nea Demokracia” në Greqi.

Partia në pushtet në Athinë fitoi 7 poste në Parlamentin Evropian në zgjedhjet e mbajtura me 9 qershor. Fredi Beleri u rendit i katërti në listën e Nea Demokracia, pasi siguroi 237,925 vota.

“Gjatë muajve të aventurës sime, u mbajta i fortë nga besimi im se drita fiton gjithmonë mbi errësirën dhe se fuqia e demokracisë mund të fshijë çdo grusht shteti, për sa kohë që ka vullnet dhe besim në një qëllim më të lartë. Ne e bëmë këtë përballje për demokracinë, shtetin ligjor, lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve”, tha Beleri në një deklaratë nga burgu.

“Lufta u mbajt në kushte të pafavorshme, të paimagjinueshme për një vend [Shqipëri] që dëshiron të bëhet anëtar i familjes evropiane. Dhe u fitua. Falë nderit, patriotizmit dhe krenarisë së grekëve”, shtoi ai.

Ekspertët e procesit të integrimit evropian janë të ndarë mbi ndikimin që do të ketë zgjedhja e Belerit si eurodeputet në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Ata theksojnë se rezultati i zgjedhjeve në PE mund t’i hap rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të reja në bashkinë Himarë – e cila ka mbetur pa kryetar.

Ndërkohë, vëzhguesit e marrëdhënieve dypalëshe përtej kufirit shprehen se zgjedhja e Belerit do ti komplikojë më tej marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Zgjedhja e Belerit në Parlamentin Europian sigurisht që i ndërlikon gjërat dhe ajo që duket si një levë presioni mund të rezultojë kundër-produktive për politikën e jashtme greke – duke krijuar një zonë të re të nxehtë në fqinjësinë tonë, që mund të mbajë peng minoritetin grek në Shqipëri dhe të shpenzojë kapital joproporcional nga Ministria e Jashtme Greke”, tha për BIRN Konstantinos Tsitselikis, profesor në Universitetin e Maqedonisë në departamentin e Studimeve Ballkanike, Sllave dhe Orientale.

“Një kurth i vetë-stisur dhe i panevojshëm,” shtoi ai.

BIRN i dërgoi një kërkesë për koment Parlamentit dhe Komisionit Evropian në lidhje me zgjedhjen e Belerit, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Heshtje në Tiranë

Me etni greke, Beleri kandidoji nën siglën e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Himarë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 në Shqipëri, por u arrestua dy ditë para votimeve me akuzat për blerje votash dhe asnjë nga shkallët e gjyqësorit nuk e miratuan kërkesën e tij për t’u betuar si kryebashkiak.

Beleri pretendoi se i gjithë procesi ishte frymëzuar nga Partia Socialiste në pushtet, por pas një procesi me shumë dritë-hije dhe të monitoruar nga BE, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e shpalli atë fajtor për ‘korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe e dënoi me 2 vjet burg.

Ai pritet të lërë qelinë në shtator, në rast se gjykata e Apelit nuk e rrëzon këtë vendim.

Beleri është dënuar më parë për vepra të urrejtjes etnike në Shqipëri në vitin 2002, ndërsa në Greqi në vitin 1995 ishte një nga shtatë personat e arrestuar në kufirin greko-shqiptar në dy automjete në të cilat u gjetën armë, plumba, thika, uniforma ushtarake dhe kapuça.

Procesi gjyqësor ndaj tij u bë shkak për një krisje të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës, pasi kjo e fundit kërcënoi se do të bllokonte bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Zgjedhja e tij në Parlamentin Evropian është përcjellë me heshtje në Tiranë.

Deputetë socialistë që mbajnë detyra në struktura parlamentare për integrimin dhe politikën e jashtme nuk iu përgjigjen pyetjes së BIRN-it nëse zgjedhja e Belerit si eurodeputet do të ndikonte në rrugën e integrimit evropian.

Ndërsa ekspertët e integrimit ndajnë qëndrime të ndryshme për rëndësinë që ky rast mund të nxisë në sjelljen e Greqisë si vend anëtar apo i PE-së si institucion.

“Zgjedhja e Belerit ne PE, do të ndikojë në mënyrë indirekte procesin e integrimit të Shqipërisë”, i tha BIRN-it, Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i “European Movement Albania”.

Sipas tij, “fakti që arriti të marrë një numër të madh votash tregon që elektorati grek është i ndjeshëm ndaj çështjeve të minoritetit në Shqipëri, dhe marrëdhëniet Greqi – Shqipëri do vazhdojnë të jenë pjesë e debatit të brendshëm politik në Greqi”.

Megjithatë, Gjipali shtoi se në një periudhë afatshkurtër rasti i Belerit mund të ketë dhe efekt pozitiv, në varësi dhe të vendimit të Gjykatës së Apelit, “që mund të sjellë përfundimin e çështjes dhe tejkalimin e ngërçit të vetos greke në këtë faze të procesit të nisjes së negociatave”.

Ndërsa Gjergj Vurmo, drejtor programesh në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, (IDM) beson se zgjedhja e tij nuk do të ndikojë në procesin e integrimit.

“Integrimi dhe Parlamenti Evropian janë shumë më të mëdha sesa një deputet”, i tha ai BIRN-it.

Zgjedhja si eurodeputet, zgjidhje për Himarën?

Por, përveç ndikimit në procesin e integrimit, rasti i tij krijon gjithashtu një precedent ligjor për drejtimin e Bashkisë Himarë.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike, tha se Kushtetuta e Shqipërisë nuk ka parashikuar raste, kur një zyrtar i zgjedhur në pushtetin vendor zgjidhet po ashtu deputet i PE-së, sidomos i një vendi tjetër.

“Zoti Beleri nuk ka bërë betimin si kryetar i bashkisë dhe në kushtet aktuale nuk ka ndonjë papajtueshmëri”, tha ai për BIRN, duke shtuar se, mbeten dy zgjidhje, që të respektohet zgjedhja e tij si eurodeputet dhe të bëhen zgjedhje të reja në Himarë, ose vetë Beleri të shfrytëzojë mekanizmat gjyqësorë në Shqipëri dhe t’i hapë rrugë njërës nga dy vendimmarrjet, të shkojë në PE ose të jetë kryetar bashkie.

Nga ana tjetër, sipas Krasniqit, kriza që solli rasti “Beleri” nxori në pah dy problematika që lidhen me integrimin dhe përfaqësimin vendor dhe të cilat kërkojnë ndryshime të dispozitave ligjore.

“Së pari, kostoja që e përfshiu Shqipërinë me Greqinë dhe tashmë dhe në Parlamentin Evropian është shumë më e lartë se sa skandali apo çështja për të cilin Beleri si individ akuzohet”, gjë që sipas tij, politika dhe institucionet shqiptaret duhet t’i merrnin këto kosto në konsideratë.

Së dyti, shton Krasqni, “qytetarët kanë votuar për këtë kandidat nga një forcë e caktuar politike dhe prej një viti jemi në një paradoks të madh të demokracisë, pasi bashkia nuk qeveriset nga persona që i përkasin forcës politike që fitoi zgjedhjet, por qeveria kontrollon drejtimin e kësaj bashkie nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm”.

Kjo, sipas tij, është një precedent që kërkon parashikime ligjore për të ardhmen.

Aktualisht bashkia e Himarës është pa kryetar, pasi edhe kryetari që ishte në detyrë, Jorgo Goro, u arrestua për “shpërdorim detyre” disa muaj më parë.

Ai akuzohet se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë, në favor të privatëve, pasuri që aktualisht janë në zotërim të një shoqërie të zotëruar nga Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili ka fituar statusin e investitorit strategjik.

Po ashtu, disa ditë më parë dha dorëheqjen nënkryetarja e bashkisë Blerina Bala, që i përket PS-së, e cila u komandua si kryetare në detyrë nga Këshilli Bashkiak pas arrestimit të Goros.

Logjikë evropiane

Në radiostacionin SKAI 100.3, ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, deklaroi të hënën se Beleri është në mesin e eurodeputetëve të sapo-zgjedhur të Demokracisë së Re, të cilët do të betohen nga datat 16 deri më 19 korrik në Parlamentin Evropian.

“Mendoj se është një kërkesë absolutisht demokratike, kërkesa e shtetit të së drejtës që eurodeputetët e zgjedhur të kenë mundësinë të bëjnë betimin,” tha Gerapetritis.

I pyetur nëse qeveria greke mund të kërkojë lirimin e Belerit, ministri nuk ishte i qartë por e inkurajoi Shqipërinë të ndjekë standardet evropiane.

“Fakti që ai [Beleri] u ndalua përkohësisht dhe aktualisht është dënuar në Shkallë të Parë për këto krime, ngre dyshime serioze për sundimin e ligjit, janë çështje që nuk janë aspak të kënaqshme”, tha Gerapatritis, ndërsa shtoi se pret nga Tirana një vendim që i përmbahet logjikës së integrimit dhe standardeve të BE-së.

“Shqipëria dëshiron të jetë pjesë e familjes evropiane,” tha ai dhe dheksoi se si rrjedhim ‘duhet të ndjekë edhe rregullat evropiane.”

“Nuk është e mundur që një eurodeputeti i zgjedhur të refuzohet të marrë detyrën e tij”, përfundoi Gerapetritis.

BIRN