Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa në News24 ka treguar përshtypjet e delegacionit të Kievit nga samiti i zhvilluar së fundmi në Tiranë.
Shkurov u shpreh se deklarata e përbashkët e samitit tregoi mbështetje për Ukrainën dhe se vendet e rajonit e kuptojnë situatën me të cilën po përballet Ukraina.
Ai zbuloi se Presidenti Volodymyr Zelensky u kthye në Ukrainë i kënaqur nga vizita dhe me përshtypjet më të mira për Shqipërinë dhe mikpritjen shqiptare.
Shkurov theksoi se kryesia e Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë në OKB ka qenë shumë e suksesshme nëse merret në konsideratë konteksti se ku ndodhet Ukraina.
“Deklarata e përbashkët e samitit tregon mbështetjen për Ukrainën dhe se ato e kuptojnë situatën. Presidenti Zelensky u kthye në Ukrainë i kënaqur nga vizita dhe me përshtypjet më të mira për SHqipërinë dhe mikpritjen shqiptare.
Në kuadër të vizitës ka qenë edhe takimi dy palësh dhe është nënshkruar edhe një traktat shumë i rëndësishëm për miqësinë dhe bashkëpunimin mes vendeve.
Kryesia e Shqipërisë në KS e OKB ka qenë shumë e suksesshme, nëse flasim për kontekstin ku ndodhet tani Ukraina. Në këtë mënyrë Shqipëria tregoi partneritetin dhe mbështetjen e saj ndaj Ukrainës dhe popullit që po i reziston agresionit rus. Përgjatë kësaj periudhe Shqipëria ka qenë bashkautore e shumicës së rezolutave që kanë të bëjnë me Ukrainën”, u shpreh Shkurov.