Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se është takuar me përfaqësues të kompanisë amerikane që prodhon raketat Patriot dhe Tomahawk, të cilat Kievi kërkon t’i blejë për t’u mbrojtur nga pushtimi rus.
“Ne diskutuam kapacitetin prodhues të Raytheon, mënyrat e mundshme të bashkëpunimit për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe aftësitë me rreze të gjatë veprimi, si dhe mundësinë e prodhimit të përbashkët ukrainas-amerikan”, vuri në dukje Zelensky në mediat sociale.
Këto raketa do t’i lejojnë ushtrisë ukrainase të kryejë sulme më thellë në territorin rus, në një kohë kur Moska, ndërsa afrohet dimri, po intensifikon sulmet e saj kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Takimi u zhvillua përpara bisedës së planifikuar të presidentit ukrainas për sot me homologun e tij amerikan Donald Trump, të cilin Zelensky dëshiron ta bindë që të dërgojë raketa Tomahawk në vendin e tij.Të enjten, Trump foli në telefon me presidentin rus Vladimir Putin, i cili e paralajmëroi se dërgesa e raketave Tomahawk në Kiev do të “dëmtonte ndjeshëm” marrëdhëniet ruso-amerikane dhe perspektivat për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
Pas kësaj telefonate, Trump vlerësoi se SHBA-të nuk mund të zvogëlojnë rezervat e veta të raketave Tomahawk.
Sipas një zyrtari të lartë ukrainas, prodhuesit amerikanë të armëve “kanë nevojë për një mesazh politik” në mënyrë që të fillojnë dërgesat e pajisjeve në Kiev.
“Unë paraqita nevojat specifike të Ukrainës për sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketat përkatëse, si dhe për avionët F-16”, shtoi ai./kohajuaj
Burimi: APE
