Zef Brozi, ish-kreu i Gjykatës së Kasacionit në Shqipëri që sot jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shprehet se ka disa çështje me rëndësi të jashtëzakonshme që shqiptarët duhet të mësojnë lidhur me kontratën prej 6 milionë dollarë të paguara nga PD e Sali Berishës për një kompani lobimi në SHBA.
“Për këtë lobim, çështjet kryesore me shumë interes për publikun janë:
1) Kush realisht paguan këto miliona dollarë?
2) A janë ato para të përfituara në mënyrë të paligjshme (korrupsion, pastrim parash, financime nga Rusia a shtete dhe fondacione të huaja që duan destabilizim e ndikim politik në Shqipëri?
3) A po heton seriozisht SPAK dhe FBI e institucione të tjera shqiptare e të huaja për burimin e këtyre parave, si edhe pagesave të Saliut për avokatët në Angli e Francë, apo dhe pasuritë e tjera të klanit Berisha”, thotë për Shqiptarja.com, Zef Brozi.
Ai bën thirrje që media e shtypi shqiptar e ndërkombëtar mund dhe duhet të kontribuojnë në zbulimin e të vërtetës për pasuritë e paligjshme të Berishës dhe kujtdo pushtetari, ish pushtetari e politikani.
Me këtë lobim, thotë Zef Brozi, Berisha po i bën një dëm tjetër të madh Partisë Demokratike.
“Demokratët e ndershëm dhe jo militantët e verbër të Saliut nuk duhet të mbështesin edhe më tej Berishën e klanin e tij miliarder, anti perëndimor e anti-SPAK.
Mendoj se Shqipëria, politikanët dhe pushtetarët e saj nuk kanë nevojë dhe as duhet të harxhojnë para duke lobuar në Amerikë. Për fat Amerika është mbështetësja e fuqishme e Shqipërisë dhe kombit shqiptar pa asnjë lobim”, përfundon Brozi.
Kontrata e lobimit në Shtetet e Bashkuara, e firmosur nga Partia Demokratike, shkaktoi jo pak zhurmë. Arsyet ishin të shumta, që nga vlera disa milionë dollarëshe, deri te burimi i tyre, i paqartë deri tani.
Partia Demokratike vijon t’i përmbahet deklaratës fillestare, duke shmangur të hedhë dritë mbi mjaft aspekte të errëta. Partia Demokratike “ka dhënë dakordësinë për marrjen e këtij shërbimi në përputhje të plotë me ligjet e të dy vendeve, dhe nuk ka asnjë barrë financiare apo detyrim kontraktual që lind nga kjo marrëveshje”.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) menjëherë nisi verifikimet, vetëm një ditë pas publikimit të kontratës në media, dhe hetimet pritet të sqarojnë gjithçka që lidhet me përgjegjësinë penale të kujtdo të përfshirë, duke filluar nga firmosësi Flamur Noka, ‘garantori’ Nuredin Seci dhe deri te përfituesi Sali Berisha.