Ditën e nesërme (1 Korrik) hyn në fuqi marrëveshja dypalëshe e nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë në fushën e kontributeve shoqërore për njohjen reciproke të të drejtave të qytetarëve, të cilët janë pjesë e dy sistemeve.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka publikuar në faqen zyrtare udhëzuesin ku përcaktohen rregullat e qarta të zbatimit të marrëveshjes për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve, të cilët kanë punuar dhe kanë kontribuar në skemat e sigurimeve shoqërore të të dy vendeve me qëllim përfitimin e të drejtës së tyre.

Marrëveshja është nënshkruar më 6 shkurt në takimin e ministrit të Jashtëm, Igli Hasani, dhe homologut Antonio Tjani. Dokumenti zyrtar iu dorëzua kryeministrit Edi Rama në Tiranë pas një vizite të kryeministres italiane Giorgia Meloni gjatë samitit të Komunitetit Politik Europian.

Nga kjo marrëveshje, përfitojnë rreth 500 mijë qytetarë shqiptarë emigrantë që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj dhe rreth 4 mijë italianë që kanë leje qëndrimi në Shqipëri, përpos atyre që kanë biznese.