Administrata Trump ka mbyllur Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), duke eliminuar shumicën dërrmuese të programeve të agjencisë, ndërkohë që pjesa e mbetur do kalojnë në varësi të Departamentit të Shtetit.
Shkurtimet gjithëpërfshirëse do të prekin dhjetëra miliarda dollarë në ndihma që Shtetet e Bashkuara u ofrojnë vendeve në zhvillim.
USAID-i ka qenë agjencia më e madhe në botë e ndihmës së huaj, me projekte me vlerë rreth 43 miliardë dollarë në vitin 2023.
Albanian Post shqyrtoi një kopje të një dokumenti prej 368 faqesh që tregonte listën më të gjerë deri më sot të mijëra programeve dhe kontratave të USAID-it që janë anuluar.
Kjo, pasi presidenti Donald Trump më 20 janar njoftoi një ngrirje gjithëpërfshirëse të pothuajse të gjithë ndihmës së huaj të SHBA-ve për të siguruar që financimi ishte në përputhje me politikën e tij “Amerika së Pari”.
Më 10 mars, sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se kishte anuluar zyrtarisht 83 për qind të kontratave të USAID-it dhe se Departamenti i Shtetit do të administronte rreth 1 mijë programet e tij të mbetura.
Pete Marocco, i emëruari i administratës Trump, i vendosur në krye të USAID-it, tha në dokumentet gjyqësore të paraqitura më 26 shkurt se 5 mijë e 800 programe të USAID-it u ndërprenë dhe 500 u mbajtën, duke regjistruar një mospërputhje midis shifrave të Rubio-s dhe Marocco-s.
Cilat programe të USAID-it janë ndërprerë në Shqipëri?
Programi i parë, i cili është prekur nga ndërprerja, është “Digjitalizimi dhe Rezistenca e Infrastrukturës Kritike të USAID-it (CIDR)”, e cila merret me shërbimet e testimit të penetrimit të sigurisë kibernetike në Shqipëri.
Shuma e kontratës së ndërprerë është 29 milionë e 997 mijë e 925 dollarë.
Një tjetër projekt që përfshin edhe vendin tonë është ai i titulluar Connect for Growth (C4G), i cili përmirëson sigurinë energjetike në Evropën Juglindore, përfshirë Shqipërinë.
Shuma e kontratës së ndërprerë është 24 milionë e 994 mijë e 550 dollarë.
Mes programeve të ndërprera, janë edhe tre kontrata të Programit Rajonal për Mbështetjen e IDIQ-së (i papërcaktuar-dorëzimi, e papërcaktuar-sasia – ed.).
Bëhet fjalë për IDIQ-në nga Zyra Rajonale e Përvetësimit dhe Asistencës e USAID-it (ROAA) në Misionin e USAID-it në Kosovë.
Ky IDIQ ofronte shërbime mbështetëse programore për misionet e USAID-it në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Dy prej kontratave kishin vlerë 20 milionë dollarë (secila) ndërsa e treta 50 mijë dollarë.
Një tjetër aktivitet i USAID-it që mbështeste komunitetet e cenueshme nëpërmjet një qasjeje gjithëpërfshirëse, do të ndërpritet referuar dokumentit të autoriteteve amerikane.
Bëhet fjalë për mekanizmat lokalë të reagimit institucional (qendrat e rezistencës), të cilat janë mbështetur për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave, sigurisë dhe përfshirjes së grave dhe burrave të margjinalizuar… duke përfshirë mbështetjen për të mbijetuarit e të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore.
Shuma e kontratës së ndërprerë është 3 milionë dollarë.
Një tjetër projekt, i cili është ndaluar, është ai i Disability Inclusive Disaster Action (DIDA) në Shqipëri, i financuar deri më tani nga USAID.
Qëllimi i përgjithshëm i aktivitetit ishte që të forconte sistemin gjithëpërfshirës të menaxhimit dhe reagimit ndaj katastrofave të ndryshimeve klimatike në nivel qendror dhe lokal me fokus të veçantë tek Personat me Aftësi të Kufizuara.
Shuma e kontratës së ndërprerë është 900 mijë dollarë.
Autoritetet amerikane kanë ndërprerë gjithashtu edhe një kontratë 50 mijë dollarëshe, e cila ndihmonte sektorin publik të Shqipërisë që “të përmirësonte kontrollet e brendshme financiare, të parandalonte korrupsionin nëpërmjet zbatimit më të mirë të kontratave dhe të rriste përgjegjshmërinë dhe transparencën në prokurimet publike”.
Fondet e SPAK-ut në dorë të DASH-it?
Dokumenti nuk e përmend Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), e cila ka pasur një mbështetje shumë të gjerë dhe të fortë nga administrata amerikane prej krijimit të saj, duke marrë ndihma si financiare ashtu edhe logjistike.
“Çdo program iu nënshtrua një rishikimi me qëllim ristrukturimin e asistencës për t’u përafruar me prioritetet e politikave të administratës”, deklaroi më parë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Albanian Post.
“Programet që u shërbejnë interesave të kombit tonë do të vazhdojnë. Megjithatë, programet që nuk përputhen me interesin tonë kombëtar nuk do të vijojnë”, përmbylli zyrtari i DASH-it.
Ishte pikërisht Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL), e cila mbështeti krijimin e një Strukture të Specializuar Kundër Korrupsionit dhe verifikimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Me asistencën INL të zbatuar nga Zyra e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-ve për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë shtetit (OPDAT) dhe Programin Ndërkombëtar të Asistencës për Trajnimin Hetues Kriminalistik (ICITAP), SPAK lufton korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar dhe ndihmon në ndryshimin e kulturës së gjatë të pandëshkueshmërisë në Shqipëri”, lexohet në njërën prej shkresave zyrtare të DASH-it.
Vetëm në vitin 2020, kjo agjenci brenda DASH-it ka lëvruar 5.3 milionë dollarë të dedikuara për SPAK-un, nga fondet e koordinuara me USAID-in për reformën në drejtësi. (Albania Post)