Është zbardhur skema e trafikut të armëve nga Kosova në Shqipëri, ku nga Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me atë të Kosovës u godit një grup kriminal.

Raportohet se grupi kriminal i merrte armët nga Turqia dhe Serbia, e më pas modifikoheshin në Kosovë. Transporti i armëve bëhej me autobusë dhe automjete të vogla, ndërsa shiteshin nga 800 deri në 1 mijë euro.

Grupi nuk trafikonte armë vetëm në Shqipëri, por edhe nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Mes të rinjve që dyshohet se janë të përfshirë në grupin kriminal është edhe 20-vjeçari, Euxhenio Manushi, djali i muzikantit Ad Sybardhi.

Euxhenio Manushi është arrestuar në flagrancë nga Antidroga e Tiranës tek rrethi i Kamzës më 9 Dhjetor, teksa udhëtonin në mjetin që drejtohej nga 24-vjeçari Klaudio Serjani, të cilit iu gjet një sasi prej 1.5 kg kokainë, me vlerë në treg 270.000 euro.

Emrat e të arrestuarve:

Euxhenio Manushi 20-vjeç

Endri Papa 34-vjeç

Aurel Manreka 28 vjeç

Gersi Llozha 22 vjeç

Kleu Mucalliu 26-vjeç; dhe

Tonin Shkami 53-vjeç

Gjatë operacionit në Shqipëri, që u zhvillua më 11 Dhjetor, u sekuestruan 22 armë zjarri ‘Zoraki’, një armë zjarri Ak 47, një granatë dore ofensive dhe 470 fisheke të llojeve të ndryshme. Gjithashtu u sekuestruan edhe 3 automjete dhe shuma të konsiderueshme parash e 10 aparate celulare.