Zbardhen detaje të reja në lidhje me vrasjen e Arian Gosës në Kavajë. Mësohet se autori i dyshuar Habib Rexha nuk e ka një dorë.
Ai ka qëlluar me dorën e majtë dhe një plumb i mori jetën 48-vjeçarit. Rexha e ka humbur njërën dorë kur ka qenë fëmijë. Aso kohe, ai ka hyrë në një kabinë elektrike ku e ka zënë korrenti dhe ka humbur dorën.
Shkak i vrasjes është hakmarrja, pasi Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, i cili mbeti i vrarë në vrasjen e dyfishtë në muajin mars të këtij viti në Kavajë, ku viktimë mbeti edhe Edmond Gosa.
Duket se Habib Rexha mori hakun e të vëllait, për një vrasje të dyfishtë në muajin mars që nisi për një konflikt banal. Autori veproi i vetëm e duket se është përpjekur që shenjën e hakmarrjes t’ia kthejë në të njëjtën mënyrë fisit Gosa.
Ashtu sikurse Arjani u ekzekutua në sy të të atit, edhe Altin Rexha kishte pasur të birin përdore kur Edmond Gosa e la të vdekur.