Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhacka ka zbardhur takimi e mbajtur sot në Bruksel me homologun e saj Nikos Dendias.

Ajo thotë se i ka shpjeguar Dendias se arrestimi i Fredi Belerit është çështje gjyqësore, e cila “nuk duhet të ndikojë në faqen e re që kemi hapur në marrëdhëniet tona dypalëshe”.

“Bruksel, takimi me mikun dhe kolegun tim, ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias ishte një mundësi shumë e mirë për të diskutuar mbi çështjen “Beleri”.

Theksova qartazi se kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që kemi hapur në marrëdhëniet tona dypalëshe.

Kjo nuk është as çështje e të Drejtave të Njeriut, as politike, e jo më një çështje dypalëshe.

Z. Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër shqiptar dhe asnjë qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin.

Blerja e votës është një shkelje e rëndë e ligjit tonë dhe çështja e tij tashmë është në gjykatë.

E vetmja gjë që ne të gjithë mund të bëjmë është të presim me durim që procesi të ecë në rrjedhën e tij dhe të mos paragjykojmë apo hamendësojmë atë”, tha Xhaçka.