Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, priti në takim të dërguarin e Bashkimit Evropian (BE) për sanksione, David O’Sullivan, më 12 maj, në Beograd.
Ai gjithashtu tha se Serbia është “e përkushtuar ndaj bashkëpunimit me BE-në në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, me respektim të plotë të ligjit ndërkombëtar dhe detyrimeve që dalin nga MSA-ja dhe Korniza negociuese”.
Vizita e O’Sullivan vjen pasi Komisioni Evropian, fundjavën e kaluar, u dërgoi vendeve anëtare të BE-së propozimin e tij të fundit për sanksione kundër Rusisë.
Ndër të tjera, televizionit shtetëror rus “Russia Today Balkans” (RT Ballkan) do t’i pezullohet licenca për transmetim në BE, pas një sërë kanalesh të tjera të RT-së, të cilat patën fatin e njëjtë.
Russia Today Balkans filloi transmetimin online në gjuhën serbe, në nëntor të vitit 2022, më shumë se gjysmë viti pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Një ditë më parë, O’Sullivan u takua me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila tha se Serbia nuk është dhe nuk do të jetë platformë për anashkalimin e sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë, siç thuhet në njoftimin nga kabineti i saj./REL