Dy zjarrfikës u qëlluan për vdekje në një qytezë malore në Idaho, në veri-perëndim të Shteteve të Bashkuara, pasi iu përgjigjën një thirrjeje për rrezik nga zjarri.
Në të njëjtën zonë një tjetër zjarrfikës mbeti i plagosur kur një person hapi zjarr me një pushkë të saktësisë së lartë, bënë të ditur autoritetet lokale.
Efektivë të forcave speciale u angazhuan për të kapur autorin, të cilin e gjetën të vdekur. Ai dyshohet se ka qëlluar me paramendim pasi ka futur në kurth zjarrfikësit, deklaroi sherifi i kontesë Kutenej.
Sipas autoriteteve, pranë personit në fjalë, tek i cili u arrit pas një përballjeje të gjatë të shoqëruar me shkëmbim zjarri, u gjet edhe një armë që dyshohet të jetë përdorur prej tij.
Policia lokale është ende duke hetuar për identitetin e autorit, pasi asgjë nuk dihet për të dhe nuk ka konfirmuar rrethanat e vdekjes së tij, apo llojin e armës së gjetur.
Sherifi i kontesë ndërkohë shtoi se nga hetimet paraprake ka rezultuar se atentatori ishte vetëm një, ndryshe nga sa kishte thënë më herët, se atentatorët mund të kishin qenë katër.
Tek i dyshuari u arrit pasi një telefon celular zbuloi vendndodhjen e tij. Autoritetet dyshojnë se ai mund t’i ketë vendosur armët në pika të ndryshme.
“Ky ishte një kurth dhe zjarrfikësit nuk patën asnjë shans për të shpëtuar”, deklaroi sherifi Robert Norris.