Gjykata e Durrësit ka lënë të lirë 4 shtetas, të cilët ishin arrestuar dy ditë më parë, si persona që kanë prakrahur autorin e krimit të ndodhur në Manëz, Daniel Pepa, dhe kanë penguar zbardhjen e të vërtetës.

Në seancën e zhvilluar të shtunën për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj 4 të ndaluarve, është vendosur detyrim paraqitje dhe ndalim dalje jashte shtetit për 4 të arrestuarit.

Të arrestuarit ishin Ergi Kadiu, lindur dhe banues në Manëz, Taulant Beqja, lindur dhe banues në Manëz dhe Emirjan Beqja, lindur dhe banues në Manëz. Të tre kanë qenë me 21-vjeçarin Daniel Pepa. Ndërsa i arrestuari tjetër, Erald Cani, lindur në Durrës dhe banues në Manëz, i cili ka qenë në lokal me Flori Palushin.

Të katër të arrestuarit janë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzim krimi”. Policia po vijon kërkimet për arrestimin e të dyshuarit kryesor 21-vjeçarit Daniel Pepa dhe Gëzim Allçi.

Si ndodhi ngjarja?

21-vjeçari Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe është debatuar me kamarierin dhe me Flori Paluçin, i cili shoqërohej në lokal me disa të tjerë, ndër të cilët edhe Erald Cani i arrestuar për moskallëzim krimi. Pepa debatoi pasi kërkoi kafe ndërsa kamarieri  Alteo Pepa i tha se ekspresi është fikur. Pas konfliktit verbal, Daniel Pepa është larguar me automjet dhe më pas është kthyer bashkë me Ergi Kadiu dhe Aranit Kurtin. Teksa ata kanë tentuar që të hyjnë sërish në lokal, ka dalë Flori Paluçi dhe ka qëlluar me armë zjarri në tokë.

Në këtë moment, Daniel Pepa ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Paluçit duke e plagosur, ndërsa Aranit Kurti e ka qëlluar me grushte në fytyrë. Paluçi, sipas policisë, ka qëlluar ndaj të dyve. Nga plumbat mbetën të vrarë Aranit Kurti që u qëllua nga Paluçi, ndërsa ky i fundit u vra nga Daniel Pepa.