Zbardhet shkaku i konfliktit mes disa të rinjve dje në Tiranë, ku një 18-vjeçar humbi jetën. Ngjarja ndodhi orës 21:50, te rrethi i Shkozës.
Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se shkak i sherrit mes të rinjve u bë një vajzë, e cila ishte në makinën e viktimës kur ndodhi sherri. Ndërkohë, katër persona janë shoqëruar në polici.
Nga të dhënat paraprake mësohet se agresorët i kanë bërë shenjë makinës ku lëvizte viktima, Aurelio Dervishi, si pasagjer që të ndalonte, por shoferi nuk është bindur. Sipas të dhënave paraprake ka pasur një konflikt fizik mes tyre ku një prej të rinjve ka qëlluar me thikë në gjoks 18-vjeçarin. Më pas të rinjtë dyshohet se janë larguar në drejtim të Unazës Lindore me një mjet tip ‘Tiguan’.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje dhe shoferin e automjetit tip ‘Audi’ me te cilin po udhëtonte viktima, ndërsa ai ka pohuar se nuk i njihte autorët. Sipas tij, personat që ndodheshin në makinën tjetër i kanë thënë ‘pse na shikoni’. Policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë dhe arrestimin e autorëve. Por duket se ngjarja ka pasur të tjera motive. Tashmë 4 të rinjtë që janë shoqëruar në polici po japin shpjegime.
NJOFTIMI I POLICISE
Identifikohen dhe shoqërohen në ambientet e Policisë, 4 autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Shkozë. Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një konflikt të çastit me mjete prerëse mes disa personave, ku si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën shtetasi A. D., 18 vjeç, ju informojmë se:
Janë identifikuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasit F. Sh., 20 vjeç, dhe tre të mitur të moshës 16 vjeç, 16 vjeç, një 15 vjeç, dhe po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Nga veprimet paraprake hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas mbrëmjen e djeshme, duke qarkulluar me automjet, janë konfliktuar per motive të dobëta me shtetasit që ndodheshin në automjet me 18-vjeçarin. Më pas konflikti ka agravuar me mjete prerëse, ku është goditur me thikë 18-vjeçari, i cili si pasojë e dëmtimeve, ka ndërruar jetë rrugës për në spital.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
(BalkanWeb)