Dy pronarët e një lokali në Dhërmi do të mbyllen përjetë në qeli, për torturimin dhe vrasjen e kamarierit Denis Vyshka. Gjykata e Lartë ka vendosur që të lerë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Vlorë për Altin Ymerin dhe Ersi Ziflajn.
Gjykata e Lartë ka kthyer për rigjykim çështjen për Miklovan Zymerin, i dënuar me 35 vite burg. Togat e zeza kanë vendosur që çështje të rigjykohet në Apel për shkelje të procedurave ligjore.
Ngjarja e tmerrshme ka ndodhur në 14 Gusht të viti 2014 rreth orës 03:00 të mëngjesit. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se dy pronarët e torturuan kamerierin duke i fikur cigaret e ndezura në trup. Ata kishin dyshime se Denis Vyshka u kishte vjedhur 500 mijë lekë të vjetra nga xhiroja e lokalit.
Prokuroria e Vlorës në dosje theksonte se Altin Ymeraj e kishte goditur kamarierin me sende të forta. Punonjësit e lokalit kanë treguar në atë kohë se pas torturave të vazhdueshme, Ziflaj dhe Zymeri e kanë marrë kamarierin në makinë dhe e kanë larguar nga lokali.
Në dosje thuhet se Eris Ziflaj vazhdonte ta godiste kamarierin edhe brenda në automjet, ndërsa makina drejtohej nga Miklovan Zymeri. I riu është torturuar për rreth 3 orë nga autorët. Shkak i vdekjes sipas ekspertizës ishte mbytja me litarë. Pasi i riu ka humbur jetën ata e kanë hedhur trupin diku afër bregdetit.