“Mirela Ruko do të jetë mendja racionale, karakteri i fortë dhe shembulli i përfaqësueses së pakorruptueshme, të pakompromentueshme dhe të paepur në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Tiranës…”.
Konfirmimi vjen nga Arlind Qori, drejtuesi aktual i subjektit më të ri politik, “Lëvizja Bashkë”, që pas pengesave të sajuara ligjore për të mos e legjitimuar, falë këmbënguljes dhe betejës pa kompromis, ja doli të regjistrohet e të pjesëmarret në garën elektorale të vendoreve 2023.
Nëpërmjet një postimi në fcb profesor Qori komunikon:
“Listës së Lëvizjes BASHKË për Këshillin Bashkiak të Tiranës nuk mund t’i printe tjetërkush përveç Mirela Rukos. Mirelën e njoh prej 9 vjetësh, kur si studente u anëtarësua në ish-Organizatën Politike. Që në fillim spikaste për seriozitetin dhe pjekurinë, të pazakontë për moshën e atëhershme. Këtyre tipareve mund t’u shtoje pa droje guximin dhe një forcë të pashembullt karakteri.
Kur diskutonim në vitin 2016 për aksionin e mundshëm kundër ish-ministres së Arsimit Lindita Nikolla, e cila kishte marrë më qafë dhjetëra mijëra maturantë me skemën Telebingo të regjistrimit në universitet. Mirela, atëbotë vetë studente, pa ia kërkuar askush, mori iniciativën për të kryer aksionin e lyerjes me salcë të Nikollës, duke duruar mbi shpinë jo vetëm dhunën e truprojave të Nikollës, por edhe përbaltjen mediatike të luzmës së puthadorëve të pushtetit (mes tyre edhe një zorzop nga këta të Big Brother-it).
Mirela Rukoja sot nuk është më studentja e guximshme e dikurshme. Ajo është një profesioniste e zonja e sociologjisë, e specializuar në çështjet e punës dhe punëtoreve. Po mbi të gjitha një organizatore politike e sociale si askush tjetër. Pakkush e di, por për disa vite rresht ajo është zgjedhur Koordinatore e Përgjithshme e ish-Organizatës Politike, duke drejtuar fushata tejet të rëndësishme: kthimin e aboneve të autobusëve, Kartën Sociale dhe fushatën e projektligjit të minimumit jetik. Prej dhjetorit të vitit 2022 Mirela është zgjedhur Sekretare Organizative e Lëvizjes BASHKË, funksioni me më shumë përgjegjësi brenda saj.
Mirela Ruko do të jetë mendja racionale, karakteri i fortë dhe shembulli i përfaqësueses së pakorruptueshme, të pakompromentueshme dhe të paepur në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Tiranës”.