Deputeti i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku thotë se marrëveshja që Sali Berisha bëri me Ilir Metën, e dëmton këtë forcë politike.

Në një intervistë për Euronews Albania, Çollaku u shpreh se vota e demokratëve do të përzgjedhë kandidatët e Partisë së Lirisë për Këshillat Bashkiakë.

Ndër të tjera, Çollaku nënvizoi se kjo marrëveshje është skandaloze.

“Nuk kam asnjë lloj dileme. Në mendimin tim, kjo klimë tensionesh hiperbolike, apokaliptike brenda Partisë Demokratike, sponsorizohet nga një element i tretë. Unë  mendoj që gjenezën e kësaj duhet ta lexojmë, në një marrëveshje e cila mund të jetë e fortë në natyrën personale, por është apolitike, që është marrëveshja me Partinë e Lirisë.

Duhet të lexojmë marrëveshjen që ka bërë zoti Berisha në këtë rast me Ilir Metën. Nëse vota e demokratëve do të përzgjedhë në këto lista të Këshillave Bashkiakë, anëtarë të PL, kjo është anti-historike, ky është një dëm ndaj demokratëve”, theksoi Kreshnik Çollaku.