Do të bëhen të gjitha përpjekjet që nga pikëpamja e garancisë së votës çdo gjë të jetë e qartë e të mos ketë dyshime.

Kështu siguron Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një dalje publike sa i takon votimit nga jashtë vendit të emigrantëve.

Celibashi për “Zërin e Amerikës” shprehet se bëhet fjalë për një operacion logjistik i cili bëhet disi i vështirë për shkak të kohës së ngushtë në dispozicion.

Pikërisht afatet e ngushta kohore po vënë në pikëpyetje serioze dhe zbatimin e votimit dhe numërimit elektronik në një numër të reduktuar qarqesh.

Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi për konsultim projektvendimin për rregullat për regjistrimin e tyre dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve që do të votojnë nga jashtë.

Celibashi shpjegoi se ky proces do të realizohet përmes një platforme online, ku secili nga ata që jetojnë jashtë, dhe dëshiron të votojë, duhet të hapë një llogari e më pas, të ngarkojë aty dokumentin e identifikimit dhe një dokument që tregon se ku banon.

Me pak fjalë, është një proces mjaft i thjeshtë nga pikëpamja teknike e aspak i komplikuar.

Celibashi thotë se KQZ do të angazhohet në një fushatë informimi për t’i njohur ata me këtë mundësi.

Votimi do të realizohet përmes postës.

Fleta e votimit për emigrantët do të niset që në momentin kur KQZ-ja, do të ketë përmbyllur procesin e regjistrimit të kandidatëve dhe ka prodhuar fletën e votimit.

“Mbeten rreth 28-32 ditë për KQZ-në, për të prodhuar fletët e votimit e për ta dërguar. Që në momentin që ne i dërgojmë fletën e votimit, procesi i votimit, konsiderohet i hapur. Pra mund të kenë një hapësirë disa ditëshe për të votuar”.

Komisioni do të dërgojë në adresën e treguar nga votuesi jashtë vendit, zarfet dhe fletën e votimit e cila, pasi është plotësuar, do të duhet t’i kthehet KQZ-së.

“Zarfi në të cilin ndodhet fleta e votimit është një zarf i bardhë. Ky futet në një zarf tjetër që përmban të dhënat e votuesit. Kur mbërrin, zarfi që përmban adresën, griset dhe mbahet zarfi i bardhë. Të gjithë grumbullohen në një shportë dhe aty bëhet procesi i numërimit”, shpjegon Celibashi për VOA-n.

Koston e dërgimit të fletës së votimit drejt KQZ-së, do të duhet ta mbulojë vetë votuesi.

Komisioneri pranon se bëhet fjalë për një proces të kushtueshëm.

“Mjaft të dish kostot e shërbimit postar ndërkombëtar. Në varësi të largësisë, ato shkojnë nga 10-40 euro apo dollar, e më shumë, për një votues”.

Numërimi do të realizohet në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, i cili këtë herë do të duhet të angazhohet kështu dhe në një proces të ri për të.

“Është një operacion logjistik, jo aq i komplikuar, se sa me angazhime, dhe për kohën në dispozicion na vë goxha në vështirësi. Po punojmë për të adresuar të gjitha pikëpyetjet se si do administrohet procesi. Ndarja do të jetë në 12 qarqe, sepse në varësi se ku ka regjistrin e gjendjes civile, aty shkon vota. Që në momentin e mbërritjes do ndahet sipas qarqeve. Ne po përpiqemi që nga pikëpamja e garancisë së votës çdo gjë të jetë e qartë e të mos ketë dyshime”.