Në Shqipëri, Delegacioni i Bashkimit Europian i tha Zërit të Amerikës se Komisioni Europian ka lënë në pritje, fillimin e zbatimit të Programit IPARD III në mbështetje të bujqësisë shqiptare. Vendimi pason ndërprerjen në muajin korrik të rimbursimeve në kuadër të IPARD II, pas hetimeve të ndërmarra mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e këtij programi. Raporti i hartuar nga zyra europiane kundër mashtrimit, OLAF, i është dorëzuar autoriteteve shqiptare, prej të cilave, Komisioni thotë se pret që ato ta marrin shumë seriozisht këtë çështje.
Kur në korrik të këtij viti Komisioni Europian njoftoi ndërprerjen përkohësisht të rimbursimeve ndaj qeverisë shqiptare për financimet e projekteve në bujqësi të realizuara në kuadër të Programit IPARD II, Ministria e Bujqësisë e trajtoi rastin si një çështje të karakterit administrativ.
Ndonëse Brukseli e bënte të qartë se masa ishte marrë pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e këtij programi, nga autoritet gjithshka u paraqit si “procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara”.
Këtë qasje mbajti në parlament dhe ministrja e Bujqësisë në atë kohë, Frida Krifca, ish drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) e cila administron fondet e e programit europian. Pas më pak se dy muajsh, zonja Krifca u la jashtë kabinetit qeveritar.
Hetimi nga OLAF-i ka përfunduar, dhe Komisioni Europian ia ka paraqitur atë autoriteteve shqiptare të cilat kanë të drejtën e mos-pranimit dhe të justifikimit apo ofrimit të fakteve kundërshtuese. “Pasi Komisioni të marrë një përgjigje nga autoritetet, do të vlerësojmë nevojën për çdo veprim të mëtejshëm. Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje”, shkruhet në përgjigjen që Delegacioni Europian në Tiranë i dha Zërit të Amerikës.
Situata nuk duket aq e e thjeshtë sa ç’janë përpjekur ta paraqesin autoritetet shqiptare. Sepse ndërprerjes së fondeve të IPARD II, i është shtuar dhe pezullimi i nisjes së zbatimit të fazës tjetër IPARD III, me një vlerë mbi 140 milion euro.
“Që nga korriku 2023, Komisioni Evropian ka ndërprerë rimbursimin e shpenzimeve IPARD për Shqipërinë. Aktualisht, ndërprerja ka të bëjë me shpenzimet e bëra gjatë tremujorit të parë dhe të dytë të vitit 2023. Njëkohësisht, Komisioni Evropian ka vënë në pritje miratimin për të gjitha masat IPARD III. Këto janë masa parandaluese të përkohshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian”, shpjegohet në përgjigjen e Delegacionit të BE-së në Tiranë.
Zëri i Amerikës ju drejtua Ministrisë së Bujqësisë për informacion mbi pozicionin e palës shqiptare lidhur me Programin Ipard III, por mori një përgjigje të drunjtë, ku nuk jepet asnjë shpjegim, sikur gjithshka po ndjek një rrjedhë normale.
Në fakt, autoritetet shqiptare kishin parashikuar që IPARD III të niste që në janar, por atyre nuk u është dhënë ende besimi i detyrave të zbatimit apo riakreditimi. Qëndrimi i Brukselit është fare i qartë: “Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Evropian të mbrohen siç duhet”.
Në raport progresin e këtij viti për Shqipërinë, kur flitet për “Mbrojtjen e intereave finaciare të BE-së”, vihet në dukje se vendi ka bërë përparim të pakët në këtë fushë dhe se “duhet të përmirësojë bashkëpunimin me Komisionin Evropian për hetimet”.
Në vitin 2022, u raportuan 71 raste të parregullsive dhe mashtrimeve të dyshuara në programet IPA dhe IPARD. Sipas dokumentit, “Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet e saj në krijimin e një historiku të qëndrueshëm në bashkëpunimin në hetime, duke ofruar, ndër të tjera, asistencë efektive operacionale për hetuesit e OLAF-it”.
Hetimet e Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit, nisën pas denoncimeve të qytetarëve të ndryshëm për korrupsion, favorizime e ndërhyrje politike. Përfaqësuesit e Zyrës europiane kryen disa misione në Shqipëri, duke bërë verifikime në zyrat e AZHBR-së, si dhe duke analizuar dokumentacionin e rasteve të dyshuara, që kishin përfituar nga fondet europiane./VOA/