Sali Berisha, i cili prej 30 dhjetorit ndodhet në arrest shtëpie ka dalë sot para mbështetësve të tij, që ishin mbledhur poshtë pallatit.

Në fjalën e tij nga dritarja e shtëpisë, Berisha tha se është tentuar që ti ndërpritet çdo komunikim me demokratët, ndërsa për këtë fajësoi kryeministrin Rama.

Sipas Berishës, kjo që po zhvillohet është një betejë për rikthimin e pluralizmit, ndërsa u betua se Rama do të marrë ndëshkimin që meriton.

“Vendosën ti ndërpresin Sali Berishës cdo komunikim me ju, por unë do ju rrëfej ju një gjë. Miqtë e mi, unë dhe cdo njëri prej jush kemi dy kushtetuta. Kushtetutë supreme kemi ndërgjegjen tonë, ajo është hyjnore dhe i bindemi asaj njëlloj si zotit.

Ndaj ju garantoj ju se Sali Berisha do të mbrojë vetëm atë që është në interesin tuaj dhe në interesin e demokratëve dhe në interesin e Shqipërisë.

Përveç kësaj saj vendi, kombi ka një kushtetutë që përdhoset dhe shkelmohet cdo ditë nga diktatori i bandave, Edi Rama.

Kushtetua ka një nën te saj, nenin 17 që përcakton se nuk ka kryeministër, gjykatës dhe prokurorë që të mohojë lirinë e shprehjes. Horat ligj nuk kanë, moral nuk kanë.

Ndaj dhe ne respektojmë kushtetutën supreme.

Kjo është një betejë që ka mision rikthimin e pluralizmit pas zhdukjes së tij.

Sot unë paraqita në Facebook flamurin e PD, në fakt ai është flamuri i pluralizmit, flamuri i partisë që solli pluralizmin.

Edi Rama është vërsulur ndaj cdo demokrati, me shpresën se do mund të arkivojë në historinë PD. Ne jemi këtu sot për tu betuar para ndërgjegjes tonë se Edi Rama me grupin e tij kriminal, me skapistët e tij do marrin shumë shpejt vendin që meritojnë”, tha Berisha.