Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vrasjen e biznesmenit 50-vjeçar Ardian Nikulaj në Shëngjin.
BalkanWeb mëson se krahas pistave të gjakmarrjes, për shkak të përplasjeve mes fiseve Nikulaj dhe Palaj që ka shkaktuar shumë viktima dhe pistës për motive politike, zbardhet edhe një tjetër konflikt që kishte politikani vendor Ardian Nikulaj i cili u qëllua për vdekje brenda lokalit të tij “Koral” në zonën e Shëngjinit.
Hetuesit kanë marrë në pyetje pjesëtarët e familjes Kolndreu. Para 3 vjetësh mësohet se pjesëtarët e familjes Nikulaj kanë rrahur Marsel Kolndreun.
Babai i Marselit ka treguar se djali i tij ka pasur një konflikt me Nikulajt dhe se 3 vite më parë është rrahur barbarisht me shkopa bejzbolli.
“Fëmijët e mi kanë pasur konflikt me Nikulajt. Ma kanë rrahur djalin barbarisht para 3 vitesh me shkopa bejzolli. E ka rrahur djali i Ardian Nikulajt dhe nipat. Iu kam çuar njerëz dhe iu kam thënë që pse ma rrahët djalin në këtë formë. Ardiani na është përgjigjur ‘rrini mirë’.
Lajmin e vrasjes e kam marrë vesh nga lajmet dhe jam i gatshëm të përballem bashkë me fëmijët e mi se nuk kam lidhje me ngjarjen. Jam i gatshëm ti përgjigjem familjes Nikulaj që nuk kam lidhje me këtë ngjarje”, ka thënë babai i Marsel Kolndreut.