Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat nga Parku Olimpik, bëri me dije se procesi i numërimit të votave të ardhura nga diaspora po vijon.

Ai theksoi se kanë mbetur edhe 50 mijë fletë votimi dhe rreth 400 kuti për t’u numëruar.

Deri më tani, DHL ka dorëzuar mbi 201 mijë zarfe me fletë votimi, nga të cilat 199.824 janë fletë të vlefshme ndërsa 1.971 janë shpallur të pavlefshme.

Aktualisht po vlerësohen fletët e votimit që përmbajnë votë për kandidatët, proces ky vendimtar për përcaktimin e rezultatit përfundimtar.

“Janë dhe 50 mijë vota për t’u numëruar. Kanë mbetur edhe 400 kuti për t’u numëruar. Mbi 201 mijë zarfe me fletën e votimit na ka dorëzuar DHL. 199.824 janë fletë votimi të vlefshme, 1.971 janë fletë votimi që nuk janë te vlefshme. Po vlerësohen fletët e votimit, ku ka pasur votë për kandidatët”, tha Celibashi.