Një video tronditëse e kamerës së sigurisë ka kapur momentin e vrasjes brutale të 23-vjeçares ukrainase Irina Zarutska në një tren në Charlotte të Karolinës së Veriut. Ajo tregon Irinën e tmerruar ndërsa shikon sulmuesin e saj pak para se ai të nxjerrë një thikë dhe ta godasë në qafë dhe trup.

Gruaja e re, e cila ishte larguar nga Ukraina në vitin 2022 me nënën dhe motrën e saj pas pushtimit rus, vdiq tragjikisht kur u godit me thikë disa herë nga 35-vjeçari DeCarlo Brown Jr., një burrë i pastrehë me një precedent të rëndë kriminal.

Momentet e saj të fundit janë zemërthyes, ndërsa përpiqet më kot të mbrohet me duar. Brenda pak sekondash, ajo rrëzohet në dysheme, e mbuluar në gjak, ndërsa pasagjerët e tjerë, çuditërisht, nuk reagojnë, duke parë krimin teksa zhvillohet. Ata e shikojnë të vdesë, ndërsa dëgjohet një koment cinik nga një pasagjer: “ai e kapi atë vajzën e bardhë”.

Brown doli nga treni me thikën dhe u arrestua dy minuta më vonë në stacionin tjetër. Ai tashmë përballet me akuza shtetërore për vrasje, ndërsa FBI tha se ndaj tij janë ngritur edhe akuza federale, të cilat mund të çojnë në dënimin me vdekje.

Rasti ka tronditur veçanërisht komunitetin vendas dhe komunitetin ukrainas në SHBA. Irina përshkruhet nga miqtë dhe të njohurit si një artiste e talentuar me pasion për skulpturën, dizajnin e modës dhe dashuri për kafshët. Vdekja e saj konsiderohet jo vetëm një tragjedi për familjen dhe të dashurit e saj, por edhe një shembull tjetër i dhunës së pakontrolluar që trondit shoqërinë amerikane.