Imagjinoni një sëmundje që e bën një person nervoz, depresiv, egoist dhe shoqërohet me një rritje prej 26% të rrezikut të vdekjes së parakohshme. Rreth 1/3 e popullsisë është e prekur prej tij, ku 1 në 12 persona janë të prekur shumë rëndë. Të ardhurat, niveli arsimor, gjinia dhe përkatësia etnike nuk veprojnë si pengesë, ndërkohë që sëmundja është ngjitëse. Kjo sëmundje quhet vetmi dhe është krahasuar me zakonin e keq të pirjes së 15 cigareve në ditë. Në shumicën e vendeve të botës perëndimore, ndjenja e përkatësisë mungon dhe njeriu modern është tjetërsuar nga shoqëria në tërësi. Mendoni për një shpatull të dislokuar: nuk e prisni krahun, por e lini të varur nga pjesa tjetër e trupit, të padobishme. Pikërisht kështu ndihen njerëzit që janë të shkëputur nga shoqëria – lëndojnë shumë. Ky quhet dislokim social, i cili, së bashku me traumën personale, bëhet burim dëshpërimi, abuzimi dhe sëmundjesh fizike.

Shoqëria, në vend që të përforcojë konceptin e komunitetit dhe solidaritetit, ka neglizhuar nevojën e individit për lidhje me të tjerët. Zhvendosja drejt një stili jetese më të individualizuar ka çuar në rritjen e niveleve të vetmisë dhe izolimit social, të cilat në fund të fundit kontribuojnë në dobësimin e vlerave themelore njerëzore. Nëse mendojmë për llojin njerëzor në historinë e tij, do të kuptojmë se mbijetesa e tij nuk do të ishte e mundur nëse njerëzit do ta kishin parë veten ekskluzivisht të izoluar, pa e njohur nevojën e tyre për lidhje shoqërore. Dhe shoqëria që nuk e njeh këtë nevojë e ka humbur thelbin e asaj që do të thotë të jesh njeri.

Ndjenja e përkatësisë është diçka thelbësore për njerëzit, dhe pasojat e mos përkatësisë askund janë të mëdha. Fëmija mesatar në SHBA, për shembull, është i ekspozuar ndaj 30,000 reklamave në vit, shumica e të cilave synojnë drejtpërdrejt fëmijën. Këto reklama përcjellin mesazhin se lumturia dhe pranimi vijnë përmes produkteve dhe jo marrëdhënieve njerëzore dhe se pranimi nga bashkëmoshatarët varet nga blerja e produkteve specifike. Nevoja themelore për lidhje dhe komunikim, ndjenja e përkatësisë në një komunitet me qëllim dhe destinacion të përbashkët, është ajo që i mungon të gjitha shoqërive moderne perëndimore.

Kur njerëzit fillojnë të ndihen të shkëputur, ata janë në fillim të një sëmundjeje – shpirtërore, fizike dhe/ose sociale. Disi fillojmë të besojmë në përrallën se jemi të gjithë vetëm, të individualizuar, me qëllime shumë personale dhe private. Dhe sa më shumë ta përcaktojmë veten në këtë mënyrë, aq më shumë largohemi nga parimet jetike se kush jemi dhe çfarë kemi nevojë për të qenë të shëndetshëm.

Vetmia është një nga faktorët kryesorë të problemeve psikologjike. Disa vite më parë, në Amerikë u krye një eksperiment psikologjik i diskutueshëm, në të cilin foshnjat e porsalindura kujdeseshin nga robotë, të cilët u sillnin qumësht dhe ua ndërronin pelenat. Për foshnjat e tjera kujdeseshin njerëz që i mbanin në krahë, i flisnin dhe i përkëdhelnin. Foshnjat e përkujdesura nga njerëzit u zhvilluan normalisht dhe shtuan në peshë, ndërsa foshnjat që kujdeseshin nga robotët përjetuan probleme serioze, ndaluan së ngrëni dhe u rritën dhe në fund u sëmurën. Kur nuk kemi lidhjen e duhur, vuajmë vërtet.

Një nga vëzhgimet më të shpeshta nga klientët e mi është se atyre nuk u pëlqen të preken apo përqafohen. Megjithatë, mund t’ju siguroj se kontakti fizik ka diçka magjike: aktivizon prodhimin e hormoneve që lidhen me lumturinë dhe ndjenjën e sigurisë. Nevoja jonë për kontakt njerëzor është aq e thellë sa që edhe përparimet teknologjike fokusohen në atë se sa më afër mund të ndihemi me njëri-tjetrin – përmes telefonave celularë, mediave sociale dhe aplikacioneve të tjera. Pavarësisht pasojave negative të teknologjisë, për të gjithë ne që jetojmë larg familjeve tona, aftësia për të parë prindërit përmes telefonit është një revolucion!

Vetmia ka pasoja. Ajo na ndikon dhe na ndryshon në mënyra që nuk i kuptojmë plotësisht. Është jetike të lidheni me të tjerët. Kjo është arsyeja pse ne erdhëm në këtë botë – për të përjetuar lidhjen njerëzore, solidaritetin dhe mbështetjen. Mos harroni kurrë, sado e vështirë të duket, se shërimi i vërtetë vjen nga lidhja dhe nga ndjenja se i përkasim një komuniteti që kujdeset dhe na mbështet./ kohajuaj.com


Julia Kazana-McCarthy
Dr. Sociologji (Universiteti i Surrey, MB)