Maratona është eventi më i madh sportiv i vitit në Tiranë, por është gjithashtu një kartolinë dhe një mundësi e mirë për rritjen e ekonomisë dhe industrisë së turizmit, e cila ka marrë hov të vrullshëm në kryeqytet vitet e fundit. Kështu e cilësoi maratonën e sivjetshme kryebashkiaku Erion Veliaj, në një intervistë live nga sheshi Skënderbej, për “Top Channel”.

“Është patjetër një festë e madhe për vrapuesit, patjetër një gjithëpërfshirje, edhe e atyre që janë të moshuar, veteranë të maratonave, dhe të atyre që janë me aftësi ndryshe, por edhe atyre që janë të huaj dhe duhet të ndihen si në shtëpi. Kemi patur ndoshta vitin më të suksesshëm dhe jam shumë i lumtur. Kemi patur mbi 4700 vrapues, nga 47 vende të ndryshme, edhe nga Izraeli edhe nga Ukraina, që ndoshta janë në situatën e tyre më të vështirë, e megjithatë sporti i bashkon njerëzit. Sporti jep një mesazh për paqen. Kur mendoj që me kaq shumë vrapues, shumë prej tyre janë të huaj, sa punojnë hotelet në Tiranë, sa punon ekonomia në Tiranë, sa punojnë restorantet në Tiranë, – për Tiranën çdo titull, i rinisë, i sportit, vitin tjetër jemi finalistë për të qenë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, shpresoj që do fitojmë dhe shpresoj që të gjitha këto sebepe t’i prodhojnë ekonomi Tiranës,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se në 8 vite transformimi ekonomik falë dy zërave kryesore, turizmit dhe teknologjisë në Tiranë ka qenë galopant.

“Para 8 vitesh, kur unë kandidoja për Bashkinë, turizmi dhe teknologjia ishin një përqindje shumë e vogël e ekonomisë. Sot 25% e ekonomisë së Tiranës është turizmi, Airbnb, restorantet e gjithë kateringu, që i bëhet turizmit, dhe ndërkohë 25% është ICT, pra teknologji informacioni, siç ishte hapja e Piramidës. Kjo do të thotë që çdo komb mund të ndryshojë, çdo qytet mund të ndryshojë dhe sot kemi pasur një kartolinë fantastike të Tiranës. Kur shikojmë sa shumë postime në rrjetet sociale nga Tirana, në gjithë këtë maratonë humbi vetëm një portofol që u gjet dhe ju kthye të zotit, ky është një qytet me kriminalitet të ulët, me çmime të ulëta, hahet mirë, pihet mirë, moti lavdi Zotit u përmirësua dhe unë besoj fort që nëse arrijmë të kuptojmë se të gjithë këto punë që kemi bërë, qoftë sheshi, qoftë parku, qoftë bulevardi, kthehen pastaj në një kartolinë për qytetin, ti kupton se si vendimet që ne marrim për qytetin prodhojnë ekonomi,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.