Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel ku po mbahet samiti Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor. Kreu i qeverisë ka pasur një takim kokë më kokë me komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi.

Ky i fundit, në një postim në platformën “X”, bën të ditur se pas përfundimit të procesit “screening”, Unioni është gati që të hapë negociatat e pranimit për Klasterin e parë.

Ky hap i radhës pritet të ndërmerret gjatë Konferencës së dytë Ndërqeveritare që do të mbahet brena këtij viti.

Ndërkohë, kujtojmë se Athina zyrtare ka kërcënuar që të pengojë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, nëse kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë Fredi Beleri do të vijojë të mbahet pas hekurave.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, deklaroi gjatë vizitës së tij në Tiranë në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit se shpreson që çështja të zgjidhet miqësisht.