Aktori i njohur i filmave aksion, Jean-Claude Van Damme, ka mohuar me vendosmëri akuzat për përfshirjen e tij në marrëdhënie seksuale me pesë gra rumune, të dyshuara si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore.
Deklarata e tij erdhi disa ditë pasi televizioni rumun Antena 3 raportoi se ndaj aktorit është bërë një kallëzim penal në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Organizuar dhe Terrorizmit në Rumani (DIICOT). Sipas denoncimit, Van Damme dyshohet se ka pasur kontakte seksuale me pesë gra të shfrytëzuara nga një rrjet kriminal i drejtuar nga Morel Bollea.
Përmes përfaqësuesit të tij, Patrick Govek, aktori ka reaguar në një prononcim për revistën People:
“Jemi informuar mbi disa raportime që përmendin një aferë të supozuar gjatë Festivalit të Filmit në Kanë, në të cilën përfshihet z. Jean-Claude Van Damme. Këto ngjarje janë qesharake dhe nuk ekzistojnë. Z. Van Damme nuk dëshiron të komentojë apo të kontribuojë në përhapjen e këtyre thashethemeve, të cilat janë absurde dhe plotësisht të pabaza,” thuhet në deklaratë.
Sipas denoncimit, incidenti i supozuar ka ndodhur në një event të organizuar nga vetë aktori në Kanë. Modelet rumune pretendohet se i janë “ofruar si dhuratë” Van Damme-it nga rrjeti i trafikimit.
“Gratë ndodheshin në një situatë të cenueshme dhe dyshohet se ishin viktima të shfrytëzimit seksual, sipas nenit 182 të Kodit Penal,” deklaroi avokati i njërës prej viktimave të supozuara, Adrian Koukoulis, për Antena 3.
Ai shtoi se “në një moment gjatë aktivitetit në Kanë, një grup kriminal dhe tutorët e tyre dyshohet se i ofruan Jean-Claude Van Damme pesë modele rumune për marrëdhënie seksuale. Ai që i pranoi, sipas dëshmitarëve, ishte i vetëdijshëm për situatën e tyre.”
Antena 3 raporton se një nga gratë e pranishme ka paraqitur kallëzim në polici dhe DIICOT ka nisur hetimet ndaj aktorit. Ndërkohë, Morel Bollea, i përmendur si drejtues i rrjetit të trafikimit, ka mohuar çdo lidhje me Van Damme-in, duke i cilësuar akuzat si “plotësisht të rreme” në një prononcim për Page Six.
Çështja pritet të shkojë në Gjykatën e Lartë të Francës, e cila do të vendosë nëse do të miratojë procedurat penale. Të dyshuarit do të ftohen të dëshmojnë në Rumani, ndërsa Koukoulis thekson se kjo është pjesë e një hetimi të zgjeruar për rrjete trafikimi që përfshijnë edhe të mitur dhe që është zhvilluar gjatë pesë viteve të fundit.
Jean-Claude Van Damme është një nga figurat më ikonike të kinemasë aksion të viteve ’80 dhe ’90, i njohur për filmat si Bloodsport, Timecop, Street Fighter, Lionheart dhe The Expendables 2. Ai është martuar pesë herë me katër gra të ndryshme dhe është baba i tre fëmijëve.