Izraeli ka informuar SHBA-në se po planifikon një operacion tokësor në shkallë të kufizuar në Liban që mund të fillojë menjëherë, tha një zyrtar amerikan për The Washington Post.

Operacioni i planifikuar i Izraelit do të jetë më i vogël në shkallë se lufta e fundit e Izraelit kundër Hezbollahut në vitin 2006, theksoi ai.

Operacioni do të fokusohet në pastrimin e infrastrukturës ushtarake përgjatë kufirit për të eliminuar kërcënimin ndaj komuniteteve kufitare izraelite, tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.

Ndërkohë, artileria izraelite filloi operacionet e bombardimeve me tapet në Libanin jugor. Kjo është faza e fundit përpara një pushtimi tokësor në shkallë të plotë.

I ashtuquajturi “bombardim me tapet” është bombardim në shkallë të gjerë që kryhet në mënyrë progresive me synimin për të shkaktuar dëme serioze në çdo pjesë të zonës që është vënë në shënjestër, duke rrafshuar infrastrukturën e kundërshtarit.

Raportet e shtypit të huaj në ditët e fundit kanë treguar se ushtarët izraelitë po kryejnë bastisje të kufizuara ndërkufitare për të mbledhur inteligjencë ose për të dëmtuar aftësinë e Hezbollahut për të sulmuar Izraelin, kryesisht në pjesën veriore të vendit.

Sipas Wall Street Journal, misionet, të përshkruara si “të synuara”, përfshinin forcat speciale që hynë në një rrjet nëntokësor të Hezbollahut pranë vijës kufitare që ndan Izraelin nga Libani.

Në të njëjtën kohë, ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallad la të kuptohet gjithashtu se Izraeli synon të nisë një pushtim tokësor të Libanit, pasi u tha trupave në veri të vendit se “ne do të përdorim të gjitha aftësitë tona – duke përfshirë edhe ju”. Ai shtoi se kthimi i izraelitëve në shtëpitë e tyre në veri – rreth 60,000 janë detyruar të evakuohen nga sulmet e përsëritura me raketa nga Libani – është “misioni i IDF”.

Kujtohet se më herët gjatë ditës së sotme kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu iu drejtua qytetarëve të Iranit në një deklaratë, duke thënë se “populli i Iranit duhet ta dijë se Izraeli është pranë jush”, duke shtuar se “Irani do të çlirohet më shpejt nga sa mendoni ju”.