Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale, ku ka qenë i ftuar të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka thënë se nga Kryeministria janë njoftuar se Kurti është në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet.

Ajo ka shtuar se konform ligjit në fuqi, Prokuroria do ta përgatisë një ftesë tjetër për Kurtin.

“Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal që kjo prokurori e ka në hetim.

Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet.

Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti, për një datë tjetër. Ende nuk është vendosur data për ftesën tjetër”, ka thënë Kozmaqi.