Një  tjetër i ri shqiptar ka humbur jetën tragjikisht mëngjesin e kësaj të hënë në Catania të Italisë.
Viktima, i identifikuar si Kastriot Ismailaj, 27 vjeç, ndërroi jetë në orën 9.45 të mëngjesit të sotëm në spitalin Garibaldi Centro.

Sipas mediave italiane, ai u dërgua i plagosur rëndë nga disa të shtëna që ndodhën në Nesima, brenda një banese sociale në numrin 10.

Gjendja e tij ishte e rëndë dhe mjekët nuk ishin në gjendje të kryenin ndërhyrje kirurgjikale për të nxjerrë një plumbin, i cili i kishte rënë në kokë.

Bashkë me viktimën, i cili ishte pa dokumente në Itali, i plagosur mbeti edhe një 43-vjeçar, i identifikuar si Carmelo Leonardi. Ky i fundit, përveç plumbit, ra edhe nga kati i dytë i godinës ku ndodhi ngjarja.

Ndërkohë në prokurori mëngjesin e sotëm u paraqit një person i tretë, që dyshohet se është i përfshirë në këtë ngjarje.

Ad

Giovanni Pasqualino Di Benedetto, 27 vjeç, mësohet se është me precedentë të mëparshëm penalë dhe është arrestuar me akuzën e tentativës për vrasje.

Mjekësia ligjore po ekzaminon armën e gjetur brenda mureve të banesës, ndërsa brenda saj janë gjetur tre gëzhoja.