Ish-Presidenti i Republikës Bamir Topi i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka zbuluar ato që mund të konsiderohen si “të pathënat” e ngjarjes së rëndë të 21 janarit të para 13 viteve.
Topi zbuloi për gazetaren Nisida Tufa se ai ka pasur komunikime me ministrin e Brendshëm të asaj kohe Lulzim Basha, ndërsa u shpreh se këtij të fundit i ka dhënë edhe një këshillë.
“Secili e di mirë detyrën e tij. Kjo është një çështje e rëndë. Nuk e di si e ke raportin me letrat i thashë, por kjo situatë do të ketë jehonë për shumë vite”, u shpreh Topi në lidhje me takimin me Bashën.
Po ashtu ai theksoi se Prokuroria e asaj kohe është penguar në lidhje me hetimet për këtë rast dhe se brenda shtetit u krijuan kushtet e një puçi shteti.
Topi: Unë kam dënuar dhunën, kam bërë thirrje për qetësi dhe për drejtësi. Natyrisht e di, jam i qartë, Berishës nuk i ka pëlqyer kur unë flas për ngjarjen në bulevard sepse vrasjet ndodhën aty. Vrasjet ndodhën kur protesta praktikisht kishte mbaruar.