Fenomeni i kultivimit të kanabisit bëri bashkë në biznesin e paligjshëm dy krushq, të cilët mbasi garantuan njëri- tjetrin se do fitonin para të shpejta, në përfundim asgjë nuk shkoi mirë për të dy. Më i riu, u vra nga bashkëpunëtori, në konflikt e sipër në parcelën me hashash. Njeriu që kreu krimin në atë kohë ishte 65 vjec dhe mbas arrestimit ju nënshtrua gjykimit. Edhe ai ndërroi jetë në burg. Gjatë monitorimit të Qendrës “FOL”, rasti për të cilin publikisht u pretendua nga policia se krimi kishte ndodhur në gjueti e sipër, u konstatua në zonën e Përmetit. Trupi i Elidian Pashajt , 27 vjec që u qëllua për vdekje me cifte nga 65 vjecari Kujtim Bajollari u gjet në një përrua dhe pak metra larg parcelës. Në dosjen hetimore përmendet se Bajollari njoftoi të afërmit e më pas policinë, që kur mbërriti në skenën e krimit, mblodhi dëshmi e kqyri trupin e viktimës , si dhe asgjesoi 244 rrënjë kanabis të kultivuara në dy parcela. Ajo që treguan më pas gjatë gjykimit familjarët e të dyja palëve tregon realitetin e një fenomeni , që u kundërshtua vetëm nga një bari.
“ Daja im Kujtimi dhe kunati Elidjan Pashaj më kërkuan që ti ndihmoja për drogën dhe se do më shpërblenin , por nuk pranova pasi merrem me blegtori dhe nuk dua të përzihem në gjëra të tilla “ dëshmon Elton Pashollari, familjar i të dy viktimave, për krimin e ndodhur verën e 2016 .
Ajo cfarë kishte ndodhur në parcelën me drogë të dy krushqve , njëri 27 e tjetri 65 vjec ishin veprimet e më të riut që ishte parë nga më i moshuari teksa po shkrepte një fotografi, në kohën që i dyshuari po vadiste bimën narkotike. Këtë e konfirmon një tjetër dëshmitar se Bajollari në ditët përpara se të kryente krimin ishte mbyllur në vetvete dhe fliste i vecuar në telefon. Në një moment 65 vjecari kishte komentuar “ Nuk i besohet njeriu sot.”
‘ Pra, shkaku provokues i vrasjes kanë qenë veprimet e viktimës që e kanë nxitur të pandehurin që ta vriste atë pas disa ditësh. Gjatë kësaj kohe i pandehuri ka ndërtuar një plan kriminal, duke marrë me vete armën e gjahut të llojit çifte ditën e ngjarjes e duke këmbëngulur që viktima ta shoqëronte atë deri në Topojan. Pasi kanë shkuar tek vendi “Gropa e Mullirit”, i pandehuri ka qëlluar viktimën në anën e djathtë të qafës, në një vend jetik duke i shkaktuar shok hemorragjik që nga intensiteti i plagës ka sjellë vdekje të menjëhershme. Më pas i pandehuri e ka tërhequr viktimën duke e vendosur në përroin aty afër. Motivi që ka çuar të pandehurin në kryerjen e kësaj vepre penale ka qenë një motiv i dobët, që ka lindur nga aktiviteti i përbashkët kriminal i tij dhe viktimës, që ka të bëjë me kultivimin e bimëve narkotike’- thuhet në vendimin që ju vendos në dispozicion Qendrës “FOL” gjatë monitorimit për cështjet e drogës në Shqipëri.
I dyshuari këmbënguli gjatë gjykimit se bimët narkotike ja kishin dëmtuar kafshët e egra dhe ndaj ai kishte marrë armën e gjuetisë për ti trembur e për ti larguar nga parcela. Gjatë shqyrtimit të kësaj cështjeje, për të mbrojtur egzekutorin,avokatët këmbëngulën se vrasja kishte ndodhur pa dashje dhe jo për shkak të një fotografie të shkrepur në brendësi të parcelës. Ata thonë: “Nga aktet e ndodhura në dosje rezulton se bimët narkotike kanë qenë të pazhvilluara dhe jo në fazën e vjeljes së tyre që të bën të mendosh se vrasja qenka kryer për interes për të përvetësuar bimët narkotike, duke përjashtuar viktimën. Në sintezë të dëshmive të familjarëve të viktimës, para ndodhjes së kësaj ngjarje nuk ka pas lindur ndonjë konflikt i mëparshëm, as i karakterit personal, dhe as i atij familjar. Për rrjedhojë, vrasja e ndodhur është pasojë e një konflikti të lindur në mënyrë të atëçasme në mes viktimës dhe të pandehurit. Rrethana tjetër siç shpjegon i pandehuri, se ai pas konfliktit të lindur, në lidhje me ruajtjen e parcelës të mbjellë me bimë narkotike është përpjekur për të shmangur atë duke dashur të parandalojnë veprimin e viktimës i cili me sopat në dorë ju drejtuar të pandehurit duke i thënë: “Se e di unë se si ti marrë lekët për të ruajtur parcelën tënde”. Në këto rrethana të anës objektive të kryerjes së veprës penale, që ndërthuren dhe me kriterin e anës subjektive të pandehurit, provojmë në mënyrë të qartë se në rastin konkret ndodhemi para veprës penale të vrasjes, të parashikuar nga neni 76 i KP. Duhet theksuar se ngjarja ishte e çastit pasi, shtetasi Elidjan Pashaj ka goditur me sëpatë të pandehurin i cili e ka shmangur sulmin ku më pas ka tentuar ta trembi dhe ka rrëshqitur duke humbur ekuilibrin dhe si rrjedhojë saçmat e çiftes kanë prekur viktimën ne pjesën e qafës, dhe ka qenë pikërisht faktori “humbjes së ekuilibrit” për shkak të rrëshqitjes, në momentin e qitjes që kanë çuar në humbjen e jetës së viktimës” . Por provat treguan se 65 vjecari nga Topojani i Përmetit e vrau me paramendim të riun Elidian Pashaj . Mbasi ai u shpall fajtor nga shkalla e parë , cështja ndaj tij rezulton se u pushua mbasi i akuzuari ndërroi jetë në burg. /QENDRA FOL