UEFA përjashtoi nga Europiani gazetarin nga Kosova, Arlind Sadikun, pasi ky i fundit bëri me duar shqiponjën ndërsa qëndronte përballë tifozëve serbë.

Sadiku tha për emisionin Review në Euronews Albania se vendimi i marrë nga UEFA është i padrejtë dhe ka nxitur urrejtje të serbëve ndaj tij dhe familjes së tij.

Ai theksoi se këtë çështje do ta ndjekë me anë të një avokati të huaj, pasi konsideron se është dëmtuar duke mos u lejuar të raportojë kampionatin evropian.

“Nuk trembem edhe pas kërcënimeve me jetë që kam marrë nga serbët, janë me qindra mesazhe që kam marrë, nesër nëse ka ndeshje në Beograd do jem aty për ta raportuar. Nesër do jem në stadium për Shqipërinë me bluzën e Dakut. Jam duke angazhuar në avokatë të huaj se konsideroj se jam dëmtuar duke mos u lejuar të raportoj, por ky veprim ka nxitur urrejtje edhe te populli serb, një nga mediat serbe sot kishin përmendur edhe emrat e familjes sime, gruas dhe fëmijës, e gjitha kjo nxit urrejtje dhe nuk i dihet çfarë mund të ndodhë”, tha ai.