Ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë trupin e një djali 12-vjeçar nga rrënojat e një ndërtese shtatëkatëshe që u shemb në qytetin Gebze, Kocaeli, Turqi.

Zëvendësministri i Brendshëm i Turqisë, Mehmet Aktas, njoftoi se trupi i 12-vjeçarit i përket Emir Bilir.

Ky është një nga tre fëmijët e familjes me pesë anëtarë që mbeti e bllokuar në rrënojat e ndërtesës së apartamenteve që u shemb në orën 7:00 të mëngjesit të mërkurën, më 29 tetor.

Sipas mediave turke, babai, Levent Bilir, është 44 vjeç, nëna, Emine Bilir, është 37 vjeçe, ndërsa fëmijët në familje janë Emir Bilir, 12 vjeç, Nisa Bilir, 14 vjeçe dhe Dilara Bilir, 18 vjeçe.

Guvernatori i Kocaelit, Ilhami Aktas, u tha gazetarëve më parë se autoritetet besojnë se familja ka qenë në ndërtesë gjithë natën dhe është e bllokuar nën rrënoja. “Një nënë, një baba dhe tre fëmijë janë të bllokuar nën rrënoja, gjithsej pesë persona. Ekipet tona dëgjuan zërin e njërit prej qytetarëve tanë dhe po përpiqen ta gjejnë atë.”

 

“375 persona po marrin pjesë në përpjekjet e kërkim-shpëtimit. Shpresojmë të arrijmë tek qytetarët tanë së shpejti dhe në mënyrë të sigurt”, tha Aktas.

 

Siç raportohet nga CCN Turk, ekipet e shpëtimit me qen të trajnuar dhe një kamera nëntokësore po përpiqen të gjejnë personat e bllokuar. Megjithatë, deri më tani, ekipet e shpëtimit kanë arritur të kontaktojnë me nënën 37-vjeçare të familjes.

Familja po e merrte me qira apartamentin ku jetonte, ndërsa qiradhënësi i tyre, i cili jetonte në të njëjtën ndërtesë, ishte jashtë qytetit në kohën e shembjes.

Siç deklaroi Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya, operacioni i shpëtimit po koordinohet nga prefekti dhe kryetari i bashkisë së Gebzes, ndërsa zyrtarë të lartë të AFAD-it janë në vendngjarje.

Ai tha gjithashtu se në operacion po marrin pjesë 147 shpëtimtarë, përfshirë 80 zyrtarë të AFAD-it, si dhe anëtarë të organizatave vullnetare dhe të bashkisë. Po përdoren dy qen kërkimi të trajnuar, tetë pajisje zbulimi të personave të bllokuar, dy dronë dhe 52 automjete.

 

Kryetari i bashkisë  së Gebzes , Zinur Buyukgoz, duke folur për mediat lokale, sugjeroi që shembja mund të lidhet me ndërtimin e një metroje aty pranë.

Gebze ndodhet përgjatë vijës veriore të çarjes së Anadollit, 65 kilometra larg Stambollit, dhe ishte një nga qendrat kryesore të prekura gjatë tërmetit me magnitudë 7.6 të vitit 1999, i cili vrau gjithsej rreth 18,000 njerëz.