Një shqiptar është dënuar me 7 vite burg në Britani pasi akuzohet se ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që merrej me transportim droge. Sipas mediave britanike, nga grupi kriminal janë dënuar William Hunter dhe shqiptari Gentjan Kaloti, të cilët ranë në gjurmët e policisë, pasi arritën të depërtonin në mesazhet e tyre të koduara.

Në Gjykatën e Newcastle Crown, Hunter u dënua me tetë vjet e një muaj pasi u deklarua fajtor për konspiracion për të furnizuar drogë të klasit A. Ndërsa shqiptari Kaloti u burgos për shtatë vjet pasi pranoi se kishte komplotuar për furnizimin e drogës.

Komploti i drogës përfshinte edhe tregtarin e kokainës, David Borley, nga Killingworth, North Tyneside, i cili u burgos muajin e kaluar me 19 vjet. Policia e Northumbria tha se kishte filluar ngritjen e një çështjeje kundër Borley dhe bashkëpunëtorëve të tij në vitin 2020 dhe zbuloi mesazhe të dërguara nga pajisja e koduar e Kaloti në të cilën ai e quajti veten Alboss, kreu i një grupi kriminal shqiptar.

Mësohet se Kaloti kishte ndihmuar në furnizimin e bashkëpunëtorëve të Borley me 45 kg kanabis. Policia tha se gjatë një kontrolli të një prone në zonën e Gateshead zbuloi 169,000 paund, si dhe disa automjete. Mesazhet zbuluan se Kaloti kishte koordinuar operacionin, ndërsa korrieri ishte Hunteri, i cili kishte siguruar transportin për të shpërndarë ngarkesat e kokainës.