Donald Trump u duk i bindur se armëpushimi, i cili hyri në fuqi më herët dje, të premten, më 10 tetor, në Rripin e Gazës, midis Izraelit dhe Hamasit “do të respektohet”.
“Mendoj se do të zgjasë, po. Të gjithë janë të lodhur nga luftimet”, tha presidenti amerikan, duke iu drejtuar gazetarëve në Zyrën Ovale, duke përsëritur qëllimin e tij për të udhëtuar në Izrael gjatë fundjavës, ku është ftuar të flasë në Knesset, parlament, si dhe në Egjipt.
Ai tha gjithashtu se planifikonte të takohej me “udhëheqës të shumtë” në Egjipt të hënën për të diskutuar të ardhmen e Rripit të Gazës, një territor i shkatërruar nga dy vjet luftë. Ai tha se takimi ka të ngjarë të zhvillohet në Kajro.
Presidenti amerikan parashikoi gjithashtu se armëpushimi në Rripin e Gazës do të çonte në një paqe më të gjerë në Lindjen e Mesme.
“Kemi disa vatra të vogla tani, por janë shumë të vogla… Do të jetë shumë e lehtë t’i shuajmë. Këto zjarre do të shuhen shumë shpejt”, premtoi ai./kohajuaj
