Anëtarët e jurisë po shqyrtojnë videon e Diddy-t duke zvarritur dhe shqelmuar ish-të dashurën e tij në një hotel.

Cassie Ventura, dëshmoi në detaje sjelljet abuzive të reperit duke theksuar se vuajti për vite me radhë prej tij. Pamjet filmike, të regjistruara nga kamerat e sigurisë në një hotel në vitin 2016, shkaktuan tension të fortë në sallën e gjyqit gjatë ditës së dytë të gjyqit.

38-vjeçarja Cassie Ventura u përball me ish-partnerin e saj, duke dëshmuar për afërsisht 4.5 orë rreth asaj që pretendonte se kishte përjetuar gjatë marrëdhënies së saj 10-vjeçare me Diddy-n.

“Nuk jam e sigurt se çfarë ndodhi, por Sean më goditi dhe më nxiu syrin dhe e vetmja gjë që mendoja në atë moment ishte të largohesha që andej shëndoshë e mire,’ deklaroi ajo.

Incidenti ndodhi, sipas saj, pas një situate në njërën nga festat e ashtuquajtura “Freak Off”:

“U bë e dhunshme festa dhe zgjodha të largohesha. Sean më ndoqi në korridor pranë ashensorëve, më kapi, më hodhi përtokë, më shqelmoi, u përpoq të më tërhiqte zvarrë përsëri në dhomë, më mori gjërat.”

Këngëtarja pretendoi se ajo iku zbathur, ndërsa Diddy ishte në dush.

“Ai më ka goditur kështu shumë herë,” tha ajo.

Videoja në fjalë, e publikuar për herë të parë nga CNN në maj 2024 , iu shfaq jurisë e pamontuar dhe tregon Diddy duke zvarritur Venturën poshtë korridorit të Hotel InterContinental në Century City, të veshur vetëm me një peshqir dhe çorape. Në një moment ai e kap atë nga pjesa e pasme e kokës, e hedh përtokë dhe e godet me shqelma disa herë. Pastaj, ai e tërheq përsëri në dhomë, duke e marrë zvarrë nga kapuçi i xhaketës së saj.