Tre adoleshentë kanë humbur jetën tragjikisht në Kosovë ditën e djeshme (01 shkurt) pas shembjes së një ndërtese të vjetër në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.
Viktimat janë një 13-vjeçar dhe dy të tjerë të moshës 16 vjeç të familjeve Ramaj, Mehmetaj dhe Morina.
Sipas mediave kosovare, njëri nga viktimat ka qenë fëmija i vetëm i familjes.
Mënyra se si janë gjetur të miturit e ka shpjeguar një familjar, i cili ka ndihmuar për t’i nxjerr nga rrënojat.
Ai ka thënë se prindërit ishin shqetësuar dhe merakosur pse fëmijët e tyre nuk po i hapnin telefonin. Ata kishin dalë menjëherë për t’i kërkuar dhe në atë moment njëri nga prindërit kishte parë objektin e rrënuar.
“Kanë dalë si rinia duke luajtur me shokët. Kemi thirrur policinë, kanë ardhur policia shumë shpejt, ambulanca, zjarrfikësit, kur i kemi gjetur pa shenja jete. E kemi zbuluar se i kemi kërkuar në këtë lagje, që kanë dalë për të luajtur. Ndërtesa ka qenë në rregull, kur e kemi parë të rrëzuar, kemi dyshuar që mos janë në të, i kemi thirrur në telefon, iu kanë rënë telefonat brenda”, tha njëri nga familjarët, shkruajnë mediat kosovare.