Ti nxjerrësh dikujt gishtin e mesit mund të jetë një gjest i pasjellshëm, por konsiderohet si pjesë e të drejtës së një personi për lirinë e shprehjes sipas kushtetutës kanadeze, ka vendosur një gjykatës.
Në një vendim prej 26 faqesh, gjyqtari Dennis Galiatsatos i provincës Quebec hodhi poshtë një çështje kundër një burri të akuzuar për ngacmimin e fqinjit të tij në një periferi të Montrealit.
“Për të qenë plotësisht i qartë, nuk është krim t’i nxjerrësh gishtin e mesit dikujt,” tha ai. “Nxjerrja e gishtit është një e drejtë e dhënë nga Zoti, e garantuar nga statuti, që i përket çdo kanadezi,” shtoi ai duke iu referuar kartës së të drejtave dhe lirive të Kanadasë.
I akuzuari, Neall Epstein, një mësues dhe baba i dy fëmijëve, ishte arrestuar nga policia në maj të vitit 2021 për kërcënimin e fqinjit të tij në Beaconsfield, Quebec.
Gjesti “mund të mos jetë civil, mund të mos jetë i sjellshëm, mund të mos jetë fisnik… megjithatë, ai nuk shkakton përgjegjësi penale,” vendosi gjykatësi.
Ai shtoi se rastet nuk hidhen nga dritarja, por në këtë çështje “gjykata është e prirur që në fakt ta marrë dosjen dhe ta hedhë nga dritarja”. “Për fat të keq,” tha ai, “sallat e gjyqit të gjykatës së Montrealit nuk kanë dritare.”