Përplasjet brenda Partisë Socialiste sa vijnë dhe thellohen, teksa deputeti i PS, Erion Braçe ka lëshuar kritika të forta ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku. Braçe, i cili u përjashtua nga Qarku i Fierit për zgjedhjet e 11 majit dhe u transferua në Tiranë, ka shpërthyer ndaj Ballukut gjatë një bisede në një media. Ai ka akuzuar Ballukun për marrjen e Divjakës si “pronë private”, duke e kritikuar për mënyrën se si e largoji nga zona. Braçe e ironizoi Ballukun, duke u shprehur se shyqyr që tani nuk ka “karota” në Divjakë, duke aluduar për faktin që kjo ishte arsyeja që ai hoqi dorë nga bujqësia. Gjatë bisedës, Braçe nuk e kurseu as ish-drejtuesin e Partisë Socialiste në Fier, Taulant Ballën, duke e përmendur për herë të parë në këtë kontekst. “Nuk e vazhdova më të bëja bujqësi pasi pashë Taulantin që shkulte karota,” u shpreh Braçe, duke lënë të kuptohet se kjo ishte një arsye për të larguar nga ky angazhim. Për më tepër, Braçe e theksoi se tani ka ardhur një tjetër që ka marrë Divjakën dhe se ai nuk ka asnjë lidhje më këtë zonë. Por ky tension mes Braçes dhe figurave kryesore të PS-së si Balluku dhe Balla, duket se është një pasqyrë e përplasjes së brendshme për influencën dhe kontrollin në qarqet e ndryshme të vendit.

Pjesë nga intervista

Konkretisht deputetit socialist, Erion Braçes duket se nuk i del inati me Belinda Ballukun, e cila e dëboi nga zona e Divjakës për zgjedhjet e 11 Majit, i cili u transferua në Tiranë Gjatë një bisede me nota humori, Braçe, i ftuar në emisionin “Papare Najt” të Agron Llakajt ka thumbuar jo vetëm Ballukun, por edhe ish-drejtuesin e PS-së në Fier, Taulant Ballën. Braçe tha se e humbi dëshirën për t’u bërë “bujk” që në momentin që pa Ballën duke shkulur karota, teksa shtoi se shyqyr që nuk është tani sezon karotash në Divjakë, duke iu referuar Ballukut.

Erion Braçe: Do zgjidhja të isha bujk, patjetër me shumë dëshirë.

-Ke pasion ta drejtosh apo?

Braçe: E bëj vetë, këtu në Tiranë nuk kam asnjë lloj mundësie të merrem me këtë, janë këto katundet e Tiranës. Tani kam mësuar që qarku i Tiranës është prodhuesi i dytë më i madh i produkteve blegtorale në Shqipëri, duhet vëmendje e shtuar në katundet e Tiranës në këtë aspekt. Po ta kisha mundësinë që të kisha tokë do isha marrë me këtë gjë. E nisa hyja nëpër sera, vilja domate, pastaj pashë Taulantin që nisi të shkulte karota, aty thashë ‘e lashë’, nuk e vazhdova më të bëja nga këto gjërat.

-Ç’ne Taulanti me karota?

Braçe: Donte të fitonte Divjakën

-E mori Divjakën?

Braçe: Nuk mori Divjakën. Mori diasporën, ka ardhur një tjetër që ka marrë Divjakën, edhe shyqyr që ka ardhur në sezon që s’ka karota (Qesh). A më pyete për bujqësinë, t’i them të gjitha.

Braçe flet pas largimit nga Divjaka

Ndërkohë kujtojmë se pak ditë më parë Erion Braçe ka folur për herë të parë për largimin nga zona e Divjakës, pas përplasjes me drejtuesen e Qarkut të Fierit Belinda Ballukun, të cilën nuk do ta mbulojë për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Braçe deklaroi se e kanë larguar pa dëshirë, pasi ka këmbëngulur prej 1 jave që të mos lëvizë nga zona e tij elektorale për shkak të marrëdhënieve që ka krijuar me banorët e zonës. I pyetur nëse a i kanë thënë një arsye pse e largoi Rama dhe Balluku nga Divjaka, Braçe tha se nuk e merr të mirëqenë atë që i kanë thënë, duke mos qenë një arsye konkrete. Deputeti socialist nuk dha një përgjigje konkrete kur u pyet nëse ishte Rama apo Balluku, ai që e mori vendimin për largimin e tij nga Divjaka, teksa shtoi më tej se lajmin e ka marrë vesh nga media. Gjithashtu, Braçe deklaroi se nuk ka ende një vendim për caktimin e tij në njësinë nr. 5 në Tiranë. “Erion Braçe nuk ka lënë gjë. Erion Braçe në harkun e vetëm një jave nuk ka dashur të lëvizë nga zona e tij elektorale dhe ka një arsye, unë nuk jam nga ata deputetët që ndërron zonë elektorale, as për t’i ikur përgjegjësive të mia, as se nuk kam përmbushur përgjegjësitë e mia, nuk jam nga ata deputetë që ndërroj numër telefoni, kam të njëjtin numër që kam pasur në Berat që kur janë vendosur kompanitë e telefonisë së lëvizshme dhe s’e kam ndërruar se kjo është marrëdhënia që kam me njerëzit”, deklaroi Braçe.