Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski tha të dielën se ai është keqkuptuar me deklaratën e bërë ditën e premte se ka ndërmend të taksojë beqarët, në mënyrë që të nxitë lindshmërinë në vend.

Deklarata e kreut të ekzekutivit nga VMRO-DPMNE-ja provokoi debat publik, por Mickoski sqaroi se ai donte vetëm të çonte vëmendjen te zhvillimet alarmante demografike të viteve të fundit.

“Nuk do të ketë kurrfarë taksash dhe ju kërkoj ndjesë thellësisht nëse dikush më ka kuptuar gabim. Por, ajo çfarë mund të them është se ne heshturazi po zhdukemi dhe po vdesim.

Kjo po kalon pa u vërejtur, si fakt përgjithësisht i pranuar me të cilin jemi pajtuar. Unë nuk mundem dhe do të ishte e papërgjegjshme nga ana ime që të pajtohem me faktin se në vitin 2016 kanë lindur 23 mijë foshnja në Maqedoni, ndërsa në vitin 2024, 16 mijë.

Kjo është një rënie me 30 për qind. Në vitin 2021 kemi pasur 13.300 martesa, ndërsa tri vite më vonë, në vitin 2024, 11.100 martesa. Ky është një rënie me 17 për qind,” deklaroi kryeministri Mickoski.

Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi reagoi ditën e premte, duke e quajtur deklaratën fillestare të kryeministrit si shkelje të të drejtave të njeriut. Nga opozita politike, LSDM-ja tha se personat e pamartuar dhe ata që emigrojnë nga vendi për shkaqe ekonomike duhen mbështetur, jo ndëshkuar, shkruan Alsat-M.

Kryeministri Mickoski ka akuzuar qeveritë e mëparshme se nuk e kanë trajtuar problemin në mënyrën e duhur, duke e “fshehur atë nën rrogoz”.

“Ne e dimë që nuk ka zgjidhje magjike, por ekziston një luftë e qëllimshme dhe e vazhdueshme, dhe ne e kemi filluar atë. Çdo masë, investim, politikë që sjellim synon të rivendosë besimin. Këtu po shqyrtojmë seriozisht futjen e taksave shtesë për beqarët,” deklaroi fillimisht z. Mickoski gjatë një debati për “Trendet demografike, sfidat dhe zgjidhjet e mundshme”.

Në tremujorin e parë të këtij viti, Enti Shtetëror i Statistikave në Maqedoninë e Veriut raportoi për 3.526 lindje të reja, 2,9 për qind më pak se të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërkohë që vdekjet u rritën me 3,8 për qind, duke arritur në 5,398.