Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka kërkuar paraburgim për një 20-vjeçar, pasi që dyshohet se ka tentuar të djeg flamurin shqiptar.

Nga Prokuroria, siç transmetojnë mediat nga Shkupi, kanë thënë se është hapur procedurë ndaj të personit në fjalë për shkelje të nenit 319 të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut.

“Më datë 12.02.2024, në orët e mbrëmjes, i dyshuari ka tentuar të djegë flamurin kombëtar shqiptar, me ç’rast është vërejtur dhe penguar nga punonjësit e policisë të cilët e kanë ndaluar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Së fundmi, në Maqedoni të Veriut janë shënuar disa incidente me djegie flamujsh: shqiptar dhe maqedonas.

Më 29 nëntor, tetë (8) shqiptarë, shtetas të Maqedonisë së Veriut, ishin arrestuar për shkak të festës të së enjtes për ditën e flamurit, 28 nëntorit, për shkak, siç pretendojnë autoritetet maqedonase, “përdhosjes” së flamurit maqedonas.

Në lidhje me incidentet që u shkaktuan të enjten me flamurin e RMV-së kishte reaguar edhe kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski.

Ai kishte thënë se çdo tentative për destabilizim do t’i përgjigjen ashpër.

“E dënoj ashpër, prapëseprapë paraqet një akt agresioni, diçka që ne paralajmëruam se do të ndodhte, se kjo lloj tentative për eskalim për të krijuar tensione etnike është dhe do të jetë”, pretendoi Mickoski.

“Nëse mendoni se është një rast i izoluar, sipas kreut të ekzekutivit maqedonas, nuk është. Sepse ndërsa drejtësia i afrohet ngadalë kriminelëve, ata do të bëhen më nervozë, më të padurueshëm dhe e vetmja mënyrë për të mbrojtur krimin është kjo”.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – partia më e madhe shqiptare në RMV – kishte dënuar ashpër ndërhyrjen e paprecedent të policisë maqedonase gjatë festimeve të Ditës së Flamurit Shqiptar, një ditë me rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në mbarë botën.

Kjo ndërhyrje, në vend që të ruante rendin publik, sipas BDI-së, “provokoi tensione të panevojshme dhe krijoi një klimë konfrontimi, duke cenuar të drejtën për të festuar lirshëm këtë ditë simbolike”.

“Njëkohësisht, dënojmë aktin individual të djegies së flamurit shtetëror, që erdhi si reagim ndaj ndërhyrjes së panevojshme të policisë. Veprime të tilla nuk përfaqësojnë vlerat e shqiptarëve dhe as aspiratat tona për bashkëjetesë të qëndrueshme dhe respekt të ndërsjellë”, potencuan nga kjo parti.

Çfarë ndodhi?

28 nëntorin, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, e festuan me rrugë të bllokuara, fishkëllima, këngë e valle nëpër rrugë, krisma e fishekzjarrë… por nuk munguan as provokimet – siç pretendojnë maqedonasit.

Situata kulmoi dhe nxiti reagime të shumta kur disa të rinj hoqën dhe shqyen flamurin maqedonas në Bit Pazar, kjo pasi që policia maqedonase bllokoi rrugët.

Nëpër qendër të qytetit ka pasur forca të shtuara të policisë të cilën bllokuan kryqëzimet për t’i ndaluar qytetarët drejt qendrës së Shkupit dhe qeverisë duke vënë në kolaps qarkullimin në kryeqytet.