Gjykata e Posaçme ka vendosur masë sigurie ndaj kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri. Me kërkesë të SPAK, GJKKO ka vendosur “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, si edhe atë të sigurimit personal me karakter shtrëngues,“Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale

Myzyri është i dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Më datë 24 qershor kreu i Prokurimeve Publike u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK

Të pandehur nga SPAK janë marrë edhe 7 zyrtarë te tjerë si dhe 3 përfaqësues të kompanive të ndërtimit.

Zyrtarët e pandehur

 

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=629&loc=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb.com%2Ftenderi 2 2 mln e gjkko pezullon kreun e prokurimeve publike jonaid myzyri te pandehur 7 zyrtare e 3 perfaqesues te kompanive te ndertimit%2F&referer=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb

 

Vilma Zhupaj
Lindita Skeja
Merita Zeqaj
Enkelejda Bega
Vladimir Hodaj
Marjana Hasani
Gerald Adhiaj

Përfaqësuesit e kompanive

Mehdi Lala
Ndoc Kulla
Ardian Kaza

Tenderi 2.2 mln euro, shkeljet e konstatuara
Jonaid Myzyri po hetohet për veprën penale “Shkelje e barazisë në tenderë” dhe “Shpërdorim detyre” për tenderin për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal-Ura e Repsit me gjatësi totale 58.7 km dhe me vlerë 2.29 milionë euro. Dosja po hetohet nga prokurori Elvin Gogaj, i cili ka vendosur të ndryshojë statusin e tij nga person nën hetim tashmë i pandehur dhe me masë sigurie “pezullim nga detyra” dhe “detyrim për t’u paraqitur”.

Sipas SPAK, të gjithë personat akuzohen për “Shkelje të barazisë në tenderë”, duke pasur në fokus pikërisht abuzimet me tenderin për mirëmbajtjen e rrugës “Rrëshen-Shpal dhe Shpal-Ura e Repsit”.

Njoftimi i SPAK

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, në kuadër të procedimit penal 175/1 i vitit 2022*, me vendimin nr.61, datë 30.06.2025, ka caktuar masën e sigurisë ndaj shtetasit, J. M., i cili mban detyrën e Kryetarit të Komisionit të Prokurimeve Publike, i dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal, të cilit i është komunikuar akuza.

Masa e vendosur përfshin“Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, si edhe atë të sigurimit personal me karakter shtrëngues,“Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka dërguar për ekzekutim vendimin, nr.61, datë 30.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Objekti i këtij procedimi penal ka qenë procedura e prokurorimit, me nr. REF-65268-07-13-2020, “Loti V: “Mirëmbajtje rutinë me përformancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.866.693 lekë pa tvsh, zhvilluar më datë 18.9.2020, me autoritet kontraktor Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Shqyrtimi i procedurës nga ana e autoritetit kontraktor ka pasur paligjshmëri, të cilat Komisioni i Prokurorimit Publik nuk i ka marrë në konsideratë.

Gjatë shqyrtimit të ankesës të procedurës së mësipërme, ky Komision, në kundërligjshmëri ka favorizuar bashkimin e operatorëve ekonomik; A.M., dhe D.-1., ku pas veprimeve hetimore ka rezultuar se kanë paraqitur dokumente të falsifikuara.

Për këtë procedurë prokurimi janë marrë si të pandehur: J.M., V.Zh., L.S., M.Z., E.B., V.H., G.A., dhe A.H., të dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe shtetasit; M.L., N.K., dhe A.K., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.

(BalkanWeb)