Enkelejd Alibeaj, ndryshe nga sa kanë bërë kundërshtarët e grupit të tij, pra Sali Berisha dhe njerëzit e vet, në parti por dhe media, nga 6 marsi i vitit të kaluar, deri më 3 mars të këtij viti, nuk është shfaqur triumfues pasi gjykata i rikthey partinë grupit të drejtuar nga ai.
Fjala e parë e Alibeajt, ndryshe nga Berisha, që thërriste me të madhe fitore më 6 mars të vitit të kaluar, ishte bashkim.
Ai iu bëri ftesë gjithë kandidatëve të “Primareve”, të bashkoheshin me PD, për të kandiduar nën siglën e Partisë Demokratike.
I vetmi kusht i lënë të kuptohet nga ai, është përjashtimi i një koalicioni me partinë e Ilir Metës.
Dhe jo pa shkak, pasi Meta konsiderohet si personi përgjegjës pse sot PD është në opozitë, dhe demokratët nuk e kanë dashur kurrë, pavarësisht se muajt e fundit Sali Berisha ua nxjerr në tribunë si përfaqësues të tyre.
“PD merr përsipër t’i prijë ndërtimit të një Aleance sa me të gjerë të mundshme të gjithë partive të qendrës së djathtë, me synim maksimizimin e votave të një të djathtë plurale ku secili subjekt zhvillon identitetin e vet politik brenda kornizës përbashkuese të vlerave demokratike, kombëtare dhe Perëndimore”, tha Alibeaj një ditë më parë.
Kaq është dashur, dhe mediat pranë Berishës dhe Metës, kanë nisur sulmet ndaj Alibeajt, duke shkruajtur se ai po i shërben Ramës, pse nuk do të bëjë koalicion me Ilir Metën.
Por a është mëkat të mos duash të bësh koalicion, me politikanin, që sipas gjithë sondazheve, konsiderohet si më i urryeri nga shqiptarët dhe si simbol i korrupsionit.
Natyrisht që jo, përkundrazi i bën nder Alibeajt.
I bën nder edhe që kërkon të mbajë larg Sali Berishën, pasi tashmë përditë e më shumë duket qartë se ai PD-në e do për hallet e veta personale, jo për ta rikthyer në pushtet.
Sepse të gjithë e kanë kuptuar tashmë, dhe vetë demokratët, se me Berishën e Metën nuk rikthehen dot kurrë në pushtet.
Ndoshta as me Alibeajn, por të paktën moralisht, qendron më lart se ata që dje e quanin Ilir Metën si vrasës e hajdut dhe sot e shohin si shpresë për të ardhmen e tyre.(TemA)