Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se të gjithë magjistratët e shkarkuar nga vettingu, nuk do u njihen vendimet, pasi sipas tij ishin hakmarrje ndaj tyre.
Në një intervistë në “Edicioni i Fundit” në ABC News, gazetari Fatos Mahmutaj, u shpreh se me këto veprime Berisha humb mbështetjen totale.
“Janë me dhjetëra emra të përzënë nga vettingu që kanë gjetur strehë tek Berisha dhe partia e tij. Por procesi i vettingut është monitoruar nga institucione europiane si edhe nga SHBA.
Nëse Berisha do zgjedhë sikur të fitojë, për t’i rikthyer ai ka humbur përkrahjen totale të ndërkombëtarëve”, tha ai.
Gjithashtu gazetari Mahmutaj komentoi edhe deklaratat e Berishës për reprezalje në radhët e policisë nëse merr pushtetin.
Ndërsa më tej theksoi se ish-kryeministri është mësuar që të ketë institucionet në kontroll.
“Berisha është mësuar të përdorë rolin e feudalit dhe policia dhe gjithçka tjetër të jetë në funksionin e tij personal.
Ai nuk arrin dot që të ketë konceptin e institucioneve të pavarura nga politika”, tha gazetari, duke shtuar: “Policia e Shtetit në kohën e Berishës ishte një nga institucionet mbështetëse të PD që udhëhiqte vendin. Berisha nuk ka ditur të bëjë institucione të pavarura, ka bërë vetëm institucione të varura”.