Kuvendi ka vendosur që debati për buxhetin e ri të diskutohet ditën e hënë. Edhe në seancën plenare (20 nëntor), Rithemelimi ka paralajmëruar që do të ndjekë të njëjtin skenar kaosi për të bllokuar punimet ashtu sikurse ka bërë prej ditësh në Komisione dhe në parlament.

Sot përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gazment Bardhi shkruan se në seancën e të hënës sipas tij kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla ka urdhëruar Gardën që të rrethojë sallën e sancave plenare.

Ndërsa ka publikuar një foto (që nuk dihet se kur është shkrepur), Bardhi shprehet se garda është duke bërë “prova gjatë ditës së sotme sesi do të rrethojnë deputetët e opozitës gjatë seancës plenare të së hënës”.

”Sot jemi njohur me urdhrin e paligjshëm të Lindita Nikollës për të rrethuar të hënën sallën e seancave plenare me forcat speciale të Gardës së Republikës, duke shpallur kështu zyrtarisht shtetin personal autokrat të Edi Ramës. Siç shihet edhe në foton bashkëlidhur Garda e Republikës është urdhëruar të bëjë “provat” gjatë ditës së sotme sesi do të rrethojnë deputetët e opozitës gjatë seancës plenare të së hënës!

Duke dënuar me forcë këtë degradim të regjimit të Edi Ramës, duam të sigurojmë se nuk ka gardist e polic që mund të pengojë dhe intimidojë opozitën në misionin për të kthyer parlamentarizmin dhe për të mbrojtur të drejtat kushtetutese të opozitës.

Një Parlament, ku deputetët rrethohen nga forcat e sigurisë gjatë vendimmarrjes së tyre, nuk mund të jetë kurrë Parlamenti i një vendi demokratik, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE. Është akt i paprecedent në 32 vite demokraci, shndërrimi i sallës së Kuvendit nga salla e përfaqësuesve të qytetarëve, në sallën e gardistëve qeveritar. Ky Parlament është turpi i Shqipërisë, njëlloj si qeverisja e korruptuar e Edi Ramës”, shkruan Bardhi.