Të dielën qytetarët grekë u drejtohen sërish kutive të votimit pasi në raundin e parë asnjëra parti nuk arriti të siguronte shumicën qeverisëse.

“Nuk do të mungojnë sfidat e rrezikshme në katër vitet e ardhshme. Çështja e emigracionit, e patë, po ndizet sërish. Ashtu si edhe një Turqi e paparashikueshme, një fqinj që ju kujtoj tani se ka një udhëheqje të qëndrueshme. Prandaj, përgjigja greke duhet të jetë një zgjedhje e sigurisë kombëtare dhe e zhvillimit kombëtar“, u shpreh Kyriakos Mitsotakis, lideri i Demokracia e Re.

Rivali i tij Alexis Tsipras kërkoi votën për të parandaluar, një “regjim të pakontrollueshëm dhe një demokraci të stilit të kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Në zgjedhjet e së dielës Mitsotakis shpreson për një mazhorancë absolute. Ai ka hedhur poshtë kategorikisht idenë e formimit të një koalicioni dhe ka paralajmëruar vazhdimisht se, nëse është e nevojshme, grekët do të duhet të shkojnë sërish në zgjedhje në gusht.