Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u takua me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në Hagë, në kuadër të Samitit të NATO-s.
Sipas një deklarate nga drejtoria e komunikimit të presidencës turke, Recep Tayyip Erdogan “shprehu kënaqësinë e tij për armëpushimin e arritur midis Izraelit dhe Iranit falë përpjekjeve të Presidentit Trump, uroi që ai të jetë i përhershëm dhe theksoi rëndësinë e (…) dialogut për t’i dhënë fund tragjedisë humanitare në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur dhe zgjidhjes paqësore të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës”.
Gjatë takimit, presidenti turk deklaroi gjithashtu se “të dy vendet kanë potencial të gjerë në sektorë të ndryshëm, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe investimeve, dhe promovimi i bashkëpunimit kryesisht në sektorin e industrisë së mbrojtjes do të lehtësojë arritjen e objektivit të një vëllimi të përgjithshëm tregtar (bilateral) prej 100 miliardë dollarësh”.
Në deklaratën e presidencës turke thuhet gjithashtu se “të dy udhëheqësit, si aleatë kryesorë të NATO-s, tërhoqën vëmendjen për rëndësinë e masave që duhen marrë për të forcuar fuqinë parandaluese të aleancës”.
Në takim u diskutuan çështje dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare./kohajuaj