I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar u bëri thirrje liderëve në Kosovë dhe Serbi që të jenë konstruktivë dhe fleksibël, përpara takimit të 18 marsit në Ohër.
Gjatë një konferencë në Beograd, pas takimit që zhvilloi me presidentin Aleksandër Vuçiç, Escobar e cilësoi planin europian si mundësinë më të mirë për të garantuar paqen në rajon.
“Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon.
Pritshmëritë tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin, që ata të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet.
Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t’i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke kuptuarse do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje,” deklaroi Escobar.
Ai theksoi se kjo është një marrëveshje për normalizim, jo për njohje, por përsëriti qëndrimin e SHBA-së se Kosova është shtet i pavarur me integritet territorial dhe sovranitet.
Përfitimet nga kjo marrëveshje sipas Escobar, janë integrimi më i shpejtë ekonomik, jo vetëm i Kosovës dhe i Serbisë, por i gjithë rajonit. Ai e vuri theksin tek krijimi asociacionit, duke i kërkuar Kosovës të përzgjedhë një model nga ato që i ka propozuar i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak.
“Fakti është se Asociacioni është pjesë e marrëveshjes së Brukselit… do të realizohet. Pyetja e vetme është sa shpejt do të ndodhë.
Pjesa e dytë, cili model do të zbatohet. Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së përmendi disa shembuj të ndryshëm se si funksionon ky lloj Asociacioni në BE, për t’u dhënë pakicave të drejtën e vetëqeverisjes, e cila nuk ndikon në funksionalitetin, nuk nxit tensione dhe ndihmon në afrimin e vendeve.
Ne dëshirojmë që njëri prej atyre modeleve të jetë model për komunitetin e komunave me shumicë serbe.”
I dërguari special i SHBA-së tha se nuk pret që gjatë takimit në Ohër të ketë nënshkrime, por theksoi se do të hapet rruga për përparim të mëtejmë. Megjithatë, ai nuk pranoi të komentojë se çfarë mund të ndodhë nëse Ohri nuk jep rezultate.